Windows Server 2012: Konfigurimi i serverit të uebit përmes IIS

“Thjeshtë, kam shkruar kodin dhe specifikimet dhe dokumentacionin për mënyrën se si klienti dhe serveri mund të komunikojnë me njëri-tjetrin.” Tim Berners-Lee

A mund ta imagjinoni Internetin pa shërbimin e world wide web (WWW)? Natyrisht që jo! Atëherë, a mund të thoni sesa është numri i serverëve të uebit në Internet? Sigurisht që jo! Në qoftë se nevoja për të ndarë resurse bëri që të zhvillohen rrjetet kompjuterike, atëherë e njëjta mund të thuhet edhe për serverët e uebit. Thjeshtë, gjithçka filloi me nevojën për të ndarë shërbime të uebit. Kështu, kërshëria për ti qasur përmbajtjet në ueb është pothuajse e barabartë me entuziazmin për ta vendosur në linjë një server të uebit në Internet. Në rreshtat në vijim do të shpalosim paksa historikun e serverëve të uebit për ta konkluduar pastaj këtë mësim me shërbimin e Internet Information Service (IIS) të Microsoft në Windows Server 2012.

Na ishte njëherë…

Kur Tim Berners-Lee po mendonte për hipertekstin si një mundësi e cila do të lehtësonte shkëmbimin e informatave në rrjet në mes të shkencëtarëve, as ai vet por edhe instituti CERN ku ai po punonte nuk ishin të vetëdijshëm që po hapnin një epokë të re në historinë e komunikimit elektronik të njerëzimit. Ideja e Tim dha dy rezultate:

  • shfletuesin e quajtur worldwideweb dhe
  • serverin e parë të uebit të quajtur CERN httpd

Kështu, lindën protokolli i transferimit të hipertekstit (HTTP) që përdoret nga shfletuesi dhe që funksionon në principin kërkesë-përgjigje e hipertekstit të përbërë nga HTML dhe elementet shoqëruese në arkitekturën klient-server, si dhe gjuha shënuese hipertekstuale (HTML) një gjuhë programuese për përpilimin e faqeve dhe sajteve të uebit. Me qëllimin të standardizimit të zhvillimit të këtyre dy teknologjive u themelua konsorciumi i rrjetit mbarë botëror (W3C).

Çfarë është Internet Information Services (IIS)?

Sipas të dhënave në Internet, Internet Information Services (IIS) e ka zanafillën nga projekti i Microsoft për zhvillim të serverit të uebit në Universitetin e Edinburgut. Meqë ky projekt i quajtur serveri EMWAC dhe që jepej falas (në Ang. freeware) nuk i ishte i aftë që të trajtonte trafikun që po merrte Microsoft.com, atëherë Microsoft ri mobilizoj energjitë zhvilluese në realizimin e serverit IIS. Kështu, shërbimi i cili fillimisht u quajt Internet Information Server (IIS) nisi të bëhej pjesë e pandashme e secilit sistemi operativ të ri që Microsoft nxirrte në treg. Versioni i parë IIS 1.0 u shoqërua në treg nga sistemi operativ Windows NT 3.51, ndërsa së fundmi Microsoft ka prezantuar versionin IIS 10 përmes sistemit operativ Windows 10.

Serveri i uebit i bazuar në shërbimin IIS ofron infrastrukturë të besueshme, të menaxhueshëm dhe të shkallëzuar për aplikacionet e uebit. IIS përkrah protokollet e komunikimit si: HTTP, HTTPS, FTP, FTPS, SMTP dhe NNTP për komunikim në mes të shfletuesit dhe serverit të uebit, ndërsa për zhvillim të përmbajtjeve dinamike në anën e serverit Microsoft së bashku me versionin IIS 3.0 prezantoi teknologjinë e skriptimit Active Server Pages (ASP). Nga këndvështrimi i sigurisë, edhe përkundër faktit që vazhdimisht Microsoft ka ofruar tipare, veçori dhe teknologji e cila do ta bënte më të sigurt serverin e uebit me shërbimin IIS, sërish raportet e sigurisë në Internet flasin se ky lloj serveri është i kërcënuar në numër të madh nga hakerët edhe përkundër trendit zvogëlues. Zaten, në versionin IIS 10, Microsoft ka shtuar dukshëm nivelin e sigurisë. Gjithsesi, nuk mbeten mbrapa as avancimet e përkrahjes së teknologjive të reja të uebit me theks të veçantë përkrahja për skriptat që marrin kohë të gjatë për tu ekzekutuar si edhe HTTP/2. Shto këtu edhe shfletuesin e ri Microsoft Edge të prezantuar në Windows 10. Të gjitha këto dhe shumë të tjera, kanë bërë që IIS në tregun botëror të serverëve të uebit të pozicionohet qëndrueshëm në vendin e dytë pas serverit të uebit Apache.

Si ta instaloni Internet Information Services (IIS)?

Është e dukshme rëndësia e panelit të Server Manager në Windows Server 2012 në veçanti e sidomos fokusi në një pikë të vetme që Microsoft e përdorë për ta lehtësuar procesin e konfigurimit të serverit në përgjithësi. Duke klikuar në ikonën apo kuadratin e Server Manager do ta filloni procesin e shtimit të rolit apo të instalimit të IIS. Pasi të jetë shfaqur ndërfaqësi i panelit Server Manager, klikoni tek vjegëza Add Roles and Features në pjesën e Welcome to Server Manager të panelit Server Manager. Kështu, ju keni nisur ekspertin për shtimin e roleve dhe të tipareve në server si në figurën 1. Me anë të klikut në butonin Next dhe atë disa herë në mënyrë të njëpasnjëshme ju do ta përmbyllni me sukses procesin e shtimit të Internet Information Services (IIS) në serverin tuaj.

Figura17

Figura 1. Shtimi i rolit të IIS në Windows Server 2012

Ndërfaqësi i Internet Information Services (IIS) Manager

Kur bëhet fjalë për ndërfaqës të lehtë për përdorim, atëherë mund të thuhet se Microsoft tregohet goxha i shkathët në këtë drejtim. Pa mëdyshje. Edhe ndërfaqësi i Internet Information Services (IIS) Manager është i thjeshtë dhe funksional si në figurën 2. Ky ndërfaqës përbëhet nga elementet në vijim:

  • paneli i lidhjeve – paraqet lidhjet e realizuara me serverët, sajtet dhe aplikacionet e uebit
  • kontejneri i tipareve – tiparet për parametrizimin e serverit dhe sajtit të uebit
  • paneli i veprimeve – opsionet e nevojshme për të punuar me serverin e uebit

Figura18             Figura 2. Ndërfaqësi i Internet Information Services (IIS) Manager në Windows Server 2012

Konkluzioni

Me tërë atraktivitetin dhe famën që bartë Interneti, s’ka dyshim se gara për të marrë primatin e serverit të uebit është e nxehtë dhe shumë vetëmohuese. Deri më tani, Microsoft është mbajtur goxha mirë në raport me konkurrentët. Shto këtu, që me Windows Server 2016 Microsoft synon ta ngushton akoma më shumë distancën me liderin aktual Apache. Këtë vetëbesim Microsoft-it ia ofrojnë versionet IIS 7.0 dhe IIS 8.0 që në treg po mbahen shumë mirë. Pavarësisht, një gjë është më se e sigurt se kërkesat për shërbimet e uebit janë në trendin rritës ndaj domosdoshmërish nevoja për server të uebit po ashtu do të jetë në rritje.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Bekim Dauti’s Blog | Bekim Dauti’s Vlog