Adresat e IP dhe Nën-Rrjetëzimi
“Interneti mund të jetë një hap shumë pozitiv në drejtim të arsimimit, organizimit dhe pjesëmarrjes në një shoqëri kuptimplotë.” Noam Chomsky
Janë të shumtë aktivitet që ndodhin sot për të shtyrë tutje zhvillimin e teknologjisë për adresat e protokollit të internetit. Zaten, adresat e IPv6 janë shembulli më i mirë i një përpjekje të tillë. Pavarësisht, edhe pse nga dita në ditë teknologjia e adresimit të IPv6 po bëhet gjithnjë e më bindëse, akoma vazhdon të parapëlqej rolin e spektatorit në arenën e madhe të Internetit kur teknologjia e adresimit IPv4 vazhdon të jetë shefi. Përmes rreshtave në vijim do të shpalosim teknologjinë e adresave IPv4, e cila teknologji e adresimit që nga ditët e para të Internetit e deri më sot vazhdon ti jep kuptim trafikut në Internet.
Na ishte njëherë…
Dekada më parë, e tëra filloi si nevojë për komunikimin e të dhënave, ose thënë më mirë nevojë për “ndarjen” e resurseve në mes të kompjuterëve. Vite me vonë, më 1974 Vinton G. Cerf dhe Robert E. Kahn me anë të dokumentit shkencor propozuan protokollet bazë që do të përdoreshin për komunikim në ARPANET. Gjithnjë sipas tyre, kjo bashkësi e protokolleve do të quhej TCP/IP dhe do te përbëheshe nga protokolli TCP (shtresa e katërt e Modelit OSI) dhe nga protokolli IP (shtresa e tretë e Modelit OSI). Kështu lindi protokolli i Internetit TCP/IP, specifikimi fillestar i së cilit do të kalon nëpër katër versione për të arritur pikën kulmore me versionin e katërt IPv4 më 1979. Përafërsisht një dekadë nga koha kur u paraqit, versioni i katërt i TCP/IP-së standardizohet me anë të dokumenteve Request for Comments (RFC) të ARPANET.
Adresat e IP
Adresa IPv4, siç u tha edhe më sipër, është versioni i katërt i adresës së protokollit të Internetit. Adresa IPv4 apo shkurt vetëm adresa IP është element logjik që përbëhet nga 32 bit dhe e cila për qëllime interpretimi më të lehtë është e organizuar në katër grupe me nga 8 bite të ndara me pikë. Pra, duke pas parasysh që 1 Bajt = 8 bite, atëherë një adresë IP qenka 4 bajt ku secili grupim me nga 8 bite paraqet nga 1 bajt. Meqë sistemi numerik binar përfaqëson gjuhën e makinës që kompjuterët e kuptojnë, atëherë numri i përgjithshëm i adresave të IP është 4,294,967,296. Nëse e krahasojmë me numrin e përgjithshëm të banorëve në planetin tonë, atëherë mungojnë rreth 3 miliardë adresa të IP. Kjo është edhe arsyeja se përse është prezantuar IPv6.
Organizata ICAN është përgjegjëse për vlerë dhënien e adresave të IP. Kështu, për qëllime të vlerë dhënies sa më të lehtë të adresave të IP është bërë ndarja e adresave të IP në klasa. Në çdo adresë të IP ka një përfaqësim të pjesës së rrjetit dhe pjesës së hostit. Në figurën 1 është paraqitur kategorizimi në klasa i adresave të IP.
Krahas ndarjes së përgjithshme të adresave të IP në klasa, ekziston edhe një ndarje tjetër e adresave të IP që bëhet sipas rangut të adresave private të IP. Për të evituar qasjen publike në kompjuterët e rrjetit, atëherë përdoren adresat private të IP. Në figurën 2 është paraqitur rangu i adresave private të IP.
Nën-Rrjetëzimi
Një nga arsyet se përse e bëjmë nën-rrjetëzimin e një rrjete kompjuterike është që të realizojmë rrjete logjike të shumëfishta përbrenda klasave ekzistuese si A. B. Dhe C. Gjithashtu, maska e nën-rrjetëzimit luan rol të rëndësishëm në përcaktimin e madhësisë së rrjetit. Atëherë, sipas definicionit maska e nën-rrjetëzimit është një adresë 32-bitëshe që përdoret në kombinim me adresën e IP për të treguar pjesën e rrjetit dhe të kompjuterëve të tij. Secila klasë e ka maskën e nën-rrjetëzimit të paracaktuar. Në figurën 3 është paraqitur kategorizimi i maskave të paracaktuara të nën-rrjetëzimit.
Konkluzioni
Sot, çdo informate qe shfletojmë ne Internet na ofrohet përmes infrastrukturës te bazuar ne IPv4. Edhe përkundër te metave si mungese e adresave publike te IP apo ne fushën e sigurisë, IPv4 vazhdon ti shërbejë përdoruesit anembanë globit. Pavarësisht nga parashikimet, apo edhe konkludimet koha do te dëshmojë se a do të mbetet IPv4 zgjedhje dhe zgjidhje e duhur për Gjeneratën e Ardhshme te Rrjeteve Kompjuterike!
Shtojcë: Tabla e figurave
Në vijim është paraqitur tabela e cila përmban burimet e figurave të përdorura në këtë artikull.