Certifikata në TI një mundësi e mirë për ta ndryshuar botën!

Kur dikush pyet nëse ju dëshironi tortë ose byrek, pse të mos i thoni se ju doni tortën dhe byrekun?” Lisa Loeb

Në ditët e sotme, certifikimi është bërë domosdoshmëri. Kjo do të thotë, nëse duam që industrisë së teknologjisë së informatikës ti tregojmë dhe dëshmojmë se posedojmë aftësitë dhe shkathtësitë e duhura për pozitën e hapur pranë industrisë në fjalë atëherë duhet të posedojmë certifikatë. Ndaj certifikatat si ECDL, MOS, MCP, MCTS, CompTIA A+, CompTIA Server+, CCENT, CCNA dhe të tjera të organizatave dhe industrive si CompTIA, ECDL, Certiport, Microsoft, Cisco, etj., mund të jenë të njohura për secilin që e posedon një të tillë dhe natyrisht më pak apo fare të njohura për të tjerët që nuk kanë një certifikatë në TI. Atëherë, në rreshtat në vijim mund të mësoni se çfarë është një certifikatë në TI, përse duhet një certifikatë në TI si edhe se si pajisemi me një certifikatë në TI.

Çfarë është certifikata në TI?

Nëse mendoni se certifikata në TI është vetëm një letër e formatit Letter apo A4 e cila duket bukur dhe me të mund të bëni një selfie, atëherë them se pjesërisht keni të drejtë. Por nëse mendoni se certifikata në TI është letërnjoftimi i aftësive dhe shkathtësive tuaja të ndërlidhura me teknologjinë e informatikës, atëherë them se plotësisht keni të drejtë. Pra, që nga identifikimi e deri tek validimi si dhe që nga trajnimi e deri tek certifikimi, certifikata në TI është një dokument i cili prezanton, tregon dhe dëshmon se personi me certifikatë posedon njohuritë, përvojën dhe talentin për teknologjinë për të cilën thirret certifikata. Sipas Todd Thibodeaux, president dhe CEO në CompTIA, “certifikata përfaqëson një mekanizëm të besueshëm të njohurive aktuale si dhe atyre të avancuara.” Në figurën 1, janë paraqitur disa nga certifikatat në teknologjinë e informatikës.

Figura 1. Figura 1. Disa nga certifikatat në TI
Figura 1. Figura 1. Disa nga certifikatat në TI

Përse kam nevojë për një certifikatë në TI?

Që nga dëshmia se posedoni aftësitë dhe shkathtësitë e duhura teknologjike e deri tek dëshira për mirëqenie më të mirë materiale, janë faktorë të shumtë që do të ju bënin të merrni vendimin për të poseduar certifikatë në TI. Pavarësisht, shumë domethënës është edhe fakti sesa organizatat dhe bizneset janë të interesuar të punësojnë punëtorë të certifikuar. Përderisa në botën e zhvilluar tashmë punësimi i punëtoreve të certifikuar është bërë standard dhe trend i kohës, edhe tek ne bizneset gradualisht kanë filluar ta praktikojnë kërkimin dhe punësimin e punëtorëve të certifikuar. Zaten, përderisa për bizneset aplikimi i kandidatëve të certifikuar për pozitat e hapura e thjeshtëson, lehtëson dhe e bënë më pak të kushtueshëm si në aspektin kohor dhe material procesin e identifikimit dhe të punësimit të kandidatëve të kualifikuare në anën tjetër për kandidatët e certifikuar certifikata do të thotë:

  • aplikim i njohurive teorike në punën praktike,
  • përshtatje më e shpejtë me mjedisin e punës,
  • posedim i njohurive aktuale të cilat kërkohen nga bizneset,
  • certifikata dëshmon se ju jeni ekspert në lëminë përkatëse,
  • mundësi më e mirë e punësimit,
  • mundësi për një karrierë profesionale të suksesshme,
  • dhe të tjera përfitime.

Në lidhje me nevojën për të pasur një certifikatë, Tom Brokaw, thotë: “mendo për të si bileta juaj për ta ndryshuar botën.” Në figurën 2, është paraqitur një shembull i pozitës së hapur në përshkrimin e së cilës qëndron kërkesa se kandidati/ja krahas diplomës dhe kualifikimeve tjera, duhet të posedon edhe certifikatë në TI.

Figura 2. Përshkrimi i pozitës së hapur ku kërkohet edhe certifikata
Figura 2. Përshkrimi i pozitës së hapur ku kërkohet edhe certifikata

Si të certifikohem në TI?

Gjithçka fillon nga dëshira për të mësuar. Sa më e madhe dëshira për të mësuar, po aq më e madhe edhe mundësia për të qenë i suksesshëm në nxënien e diturisë. Gjithsesi që krahas mësimit kërkohet edhe përkushtim maksimal në aplikimin praktik të njohurive të fituara. Këtu vend të theksuar zë puna praktike në teknologjinë e preferuar.

Për shembull, nëse synoni që të certifikoheni në CompTIA A+, atëherë duhet të mësoni për harduerin dhe softuerin e kompjuterëve personal. Kështu krahas mësimit teorik, kohë të konsiderueshme duhet ti kushtoni edhe punës praktike në instalimin dhe zgjidhjen e problemeve harduerike dhe softuerike. Në momentin që vlerësoni se tanimë i keni mjeshtëruar njohuritë teorike dhe praktike të kompjuterit personal atëherë mund të merrni vendimin që të sfidoni njohuritë dhe përvojën tuaj përmes provimit të certifikimit të CompTIA A+. Për të hyrë në provim të certifikim, pa dallim se për cilin certifikim bëhet fjalë, duhet ti drejtoheni qendrës së akredituar për certifikime si ECDL, Certiport, PearsonVUE, Prometric dhe të tjera në vendin tuaj. Në këto qendra respektive për certifikim ju do ta regjistroni provimin tuaj të dëshiruar. Pasi ta keni kaluar provimin me sukses, vendori i provimit (në rastin e shembullit të certifikimit CompTIA A+ është organizata CompTIA) në një periudhë të konsiderueshme kohore do të ju sjellë certifikatën dhe materialet tjera shoqëruese me certifikatën. Nga ky moment ju posedoni certifikatën dhe titullin në teknologjinë për të cilën thirret certifikata. Në figurën 3, është paraqitur sajti i uebit të PearsonVUE përmes së cilit mund të bëhet regjistrimi i provimeve të certifikimit në TI.

Figura 3. Sajti i uebit të PearsonVUE për regjistrim të provimeve të certifikimit në TI
Figura 3. Sajti i uebit të PearsonVUE për regjistrim të provimeve të certifikimit në TI

Informata me rëndësi

Në vijim do të gjeni disa nga lidhjet në Internet të cilat do të ju ofrojnë informata me vlerë për sa i përket mësimit dhe certifikimit në teknologjinë e informatikës.

Konkluzioni

Përderisa organizatat dhe bizneset vrapojnë për të gjetur talentët në teknologjinë e informatikës me aftësi të provuara, vlera e certifikatave teknike është më e lartë se kurrë më parë. Sot, certifikata është më shumë se validim i aftësive dhe shkathtësive profesionale të individit, në fakt ajo është një specializim. Ndaj, që ta zgjedhësh certifikatën e duhur nuk është një detyrë e lehtë. Për këtë arsye kërkohet përkushtim maksimal në mësim dhe punë praktike. Atëherë, nëse dëshiron të jesh i suksesshëm dhe të fitosh më të mirat e të dy botëve (akademike dhe profesionale), atëherë kompleto shkollimin akademik duke marrë diplomë dhe përpiqu të certifikohesh në TI!

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi