Çka është rrjeti kompjuterik?
“Miqësia … nuk është diçka që e mësoni në shkollë. Por në qoftë se nuk e keni mësuar kuptimin e miqësisë, ju me të vërtetë nuk keni mësuar asgjë.” Muhammad Ali
Para se ta përkufizojmë definicionin për rrjetin kompjuterik, fillimisht do të njihemi me termin rrjetë në përgjithësi, për tu njohur pastaj me rrjetën kompjuterike në veçanti. Po që se bëjmë një kërkim për fjalën rrjetë në fjalorin Merriam-Webster, do të gjejmë përkufizimin se “rrjetë është një grup i njerëzve ose organizatave që janë të lidhura ngushtë dhe se punojnë me njëri tjetrin.” Po në fjalorin Merriam-Webster, hasim edhe shprehjen rrjetëzim që definohet si “shkëmbim i informacionit apo i shërbimeve mes individëve, grupeve apo institucioneve.” Që të dy këto përkufizime do të na ndihmojnë që në mënyrë të thjeshtë, të qartë dhe konkrete të përkufizojmë definicionin e rrjetit kompjuterik në rreshtat në vijim.
Çka është rrjeti kompjuterik?
Meqë po flasim për kompjuterët, atëherë na del që në rastin tonë janë kompjuterët që përbejnë rrjetin kompjuterik dhe jo njerëzit. Kështu, rrjetë kompjuterike është grup i kompjuterëve të lidhur me njëri tjetrin me qëllim të ndarjes së resurseve. Kur flasim për resurset, zakonisht ato i zbërthejmë në të dhëna, shërbime të rrjetit dhe pajisje periferike. Pra secili që ka përvojë me rrjete kompjuterike, ka parë se shumë lehtë është të ndash skedarë, aplikacione si dhe printerë dhe pajisje të tjera periferike në rrjetet kompjuterike. Në figurën 1 është paraqitur rrjeti kompjuterik dhe pajisjet pjesëmarrëse në të.
Si realizohet rrjeti kompjuterik?
Natyrisht, pjesa më e bukur e rrjeteve kompjuterike është si të realizosh një të tillë? Realizimi i rrjetit kompjuterik është ngushtë i lidhur për definicionin e tij. Pra duke e ditur se kemi të bëjmë me grup të kompjuterëve, atëherë kriteri për të realizuar një rrjet kompjuterik është që duhet të jenë dy apo më shumë kompjuter. Varësisht nga numri i kompjuterëve në rrjet dhe i mënyrës se si i qasin ata resurset në rrjetë, atëherë edhe bëhet kategorizimi i llojeve të rrjeteve kompjuterike të cilat do të shpjegohen në kapitullin e radhës. Në figurën 2 është paraqitur rrjeti kompjuterik në mjedisin shtëpiak.
Konkluzioni:
Padyshim që rrjeti kompjuterik paraqet një ndër inovacionet më të mëdha të njerëzimit në fushën e teknologjisë së komunikimit. Mjafton të përmendim Internetin dhe menjëherë do të kuptojmë sesa i madh është përfitimi i njerëzimit nga rrjeti kompjuterik. Interneti, domosdoshmërish vërteton faktin se rrjetet kompjuterike krahas qëllimit të tyre primar për të ndarë resurse, kanë definuar edhe epokën në të cilën komunikimi njëmend i ofron njerëzit së bashku. Zaten Interneti, krahas faktit që ka lehtësuar dukshëm mënyrën e komunikimit, njëkohësisht ka ofruar mundësi për inovacione të reja në shumë disiplina shkencore duke bashkuar njerëzit rreth një ideje, projekti apo hulumtimi shkencor.
Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.
paqe dhe shëndet,
Bekimi