Windows Server 2016: Instalimi dhe Risitë

“Kur kam filluar punën në Microsoft, kam qenë me fat të jem pjesë e rritjes së paradigmës klient-server.” Satya Nadella

Siç mund të jeni informuar përmes informatave nga Interneti, Microsoft aktualisht është duke punuar në finalizimin e versionit të radhës të sistemit operativ për server siç është Windows Server 2016. Aktualisht, Windows Server 2016 ofrohet në Vëzhgimin Teknik 4 përmes TechNet Evaluation Center (shih figurën 1) dhe është në dispozicion për tu shkarkuar dhe instaluar për këdo që është i interesuar. Gjatë procesit të instalimit të Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 na ofrohen dy edicione të instalimit të tij. Edicioni i parë mundëson instalimin e Windows Server 2016 me ndërfaqës të linjës së komandës, përderisa edicioni i dytë ofron mundësinë e instalimit të Windows Server 2016 të bazuar në ndërfaqësin grafik të përdoruesit ku është i përfshirë edhe Server with Desktop Experience që përmban temën (në Ang. theme) motivin e Windows 10. Ndaj, në rreshtat në vijim po e ndaj me ju të dashur lexues përvojën e instalimit të Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4.

Para instalimit të Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4

Si për çdo instalim tjetër, edhe në rastin e instalimit të Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 rekomandohet të shikohet nëse hardueri ynë plotëson kërkesat minimale të Microsoft. Kështu, kërkesat minimale për instalim janë:

  • Procesori: 1.4 GHz me platformë 64-bit
  • Kujtesa RAM: 512 MB
  • Kapacitetit i diskut të ngurtë: 32 GB
  • Monitori: duhet të përkrah rezolucionin Super VGA (1024 x 768)
  • Harduer tjetër: përkrahje për njësit e disqeve optike DVD, disqet pa pjesë lëvizëse me USB, tastierën dhe miun
  • Ndërfaqës të rrjetit Gigabit (10/100/1000baseT) me qasje në Internet

Nëse hardueri i kompjuterit tonë është i njëjtë apo i tejkalon kërkesat minimale të sipërshënuara, atëherë themi se mund të ecim me instalimin e Windows Server 2012. Hap tjetër me rëndësi në procesin instalimit është posedimi i mediumit për instalim. Në rast se nuk e kemi, atëherë zgjidhja është e lehtë. Nga adresa e uebit në vijim: http://www.microsoft.com/en-us/evalcenter/evaluate-windows-server-technical-preview (shih figurën 1) shkarkojeni Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4. Ju kërkohet që të regjistroheni në mënyrë që të vazhdoni me shkarkimin e Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4, ndaj klikoni butonin Register to continue. Nëse jeni të interesuar të kontaktoeni nga Microsoft mund ti tregoni se për çfarë lloj informacioni jeni të interesuar si edhe formatin se si ajo informatë do të ju dërgohet. Klikoni butonin Continue. Pas pak shkarkimi i Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 do të nis. Vlenë të përmendet fakti që Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 skadon më 15 Korrik 2016.

Figura47

Figura 1. Shkarkimi i Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 nga sajti i uebit TechNet Evaluation Center

Instalimi i Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4

Skedari i shkarkuar i formatit ISO është i madhësisë rreth 5 GB, ndaj do të ju duhet DVD me kapacitet 8 GB për ta shkruar këtë skedarë në DVD apo mund të përdorni edhe disqet pa pjesë lëvizëse me qasje në portën USB të kapacitetit prej 8 GB po ashtu. Ndizeni kompjuterin tuaj dhe përpiquni ta qasni Sistemin Bazë për Hyrje dhe Dalje (BIOS). Nga ndërfaqësi i BIOS duhet të përzgjidhni njësinë DVD apo USB Removal Disk nga ku do të ngritët sistemi operativ. Ruani ndryshimet në BIOS dhe njëkohësisht vendoseni mediumin për instalim në njësinë e diskut DVD apo në portën USB të kompjuterit tuaj. Pas pak do të nisni procesin e instalimit të Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4. Më shumë informacion në lidhje me instalimin e Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 3 do të mund të gjeni në kanalin tim Bekim Dauti’s Vlog në YouTube (kliko në figurën 2).

Figura 2. Video prezantimi i instalimit të Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 3 (URL: https://www.youtube.com/watch?v=aOzYMFKLc00)

Instalimi i roleve AD DS dhe DNS në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4

Si edhe në Windows Server 2012, ngjashëm edhe në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4, AD DS dhe DNS na ofrohen si role të cilat mund të shtohen përmes panelit Server Manager.  Kështu, mjafton të klikoni në Add Roles and Features në pjesën e Welcome to Server Manager të panelit Server Manager dhe pas pak do të shfaqet eksperti për shtimin e roleve dhe të tipareve. Është një proces shumë vetë përshkrues meqë mjafton të përzgjidhni rolin e dëshiruar dhe ta kompletoni procesin e shtimit të rolit të përzgjedhur duke klikuar butonin Next disa herë deri në përmbyllje. Më shumë informacion në lidhje me instalimin e roleve AD DS dhe DNS në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 3 do të mund të gjeni në kanalin tim Bekim Dauti’s Vlog në YouTube (kliko në figurën 3).

Figura 3. Video prezantimi i instalimit të roleve AD DS dhe DNS në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 3 (URL: https://www.youtube.com/watch?v=-FJscUk7eas)

Risitë në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4

Në vijim do të njihemi me disa nga risitë që i ofron Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4. Gjithnjë, sipas inxhinierëve të Microsoft lista e risive është dukshëm më e gjatë, por që në vijim do të shpalosim vetëm disa nga risitë teknologjike më të theksuar e për të cilat po flitet shumë në Internet në këtë fazë të zhvillimit të këtij sistemit operativ. Disa nga këto risi teknologjike të Windows Server 2016 do të jenë:

  • Nano Server – paraqet një opsion të instalimit të Windows Server në të cilin nuk do të ketë ndërfaqësin grafik e as atë të linjës së komandës. Në këtë fazë të zhvillimit, përkrahen rolet si DNS dhe serveri i uebit (IIS).
  • Windows Containers – mundësojnë që shumë aplikacione të izoluara të ekzekutohen në një kompjuter të vetëm.
  • Risitë në AD DS – siguri e shtuar dhe përvojë më e mirë e menaxhimit të identitetit.
  • Risitë në RDS – përkrahje e shtuar për aplikacionet OpenGL dhe OpenCL.

Gjithashtu, është shtuar edhe MultiPoint Services si rol i ri. Më shumë informacion në lidhje me risitë teknologjike në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 do të mund ti gjeni në kanalin tim Bekim Dauti’s Vlog në YouTube (kliko në figurën 4).

Figura 4. Video prezantimi i risive teknologjike në Windows Server 2016 Vëzhgimi Teknik 4 (URL: https://www.youtube.com/watch?v=RXoeibl2MHs)

Konkluzioni

Inxhinierët e Microsoft përmes Technet Evaluation Center “thërrasin” administratorët e sistemeve gjithandej globit që ta shkarkojnë dhe eksplorojnë Windows Server 2016 Vëzhgimin Teknik 4. Në këtë mënyrë, të gjithë ata administrator të sistemeve do të kenë mundësinë që të adresojnë në formë të përgjigjes së kthyeshme të gjitha propozimet, sugjerimet, komentet dhe vërejtjet deri tek Microsoft me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të zhvillimit të Windows Server 2016. Në Internet flitet se Microsoft parasheh të ofron edhe një vëzhgim teknik të Windows Server 2016 para se të ofron versionin final në pjesën e dytë të vitit 2016.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.
paqe dhe shëndet,
Bekimi