Intimitet Goxha i Bukur = Pretty Good Privacy (PGP)

“Mjeshtëria e vërtetë e dialogut nuk është vetëm të thuash fjalën e duhur në vendin e duhur, por ta lësh të pa thënë fjalën e gabuar ne momentet tunduese.” – Lady Dorothy Nevill

Në ditët e sotme, kur thuajse shumica e aktiviteteve me kompjuter realizohen duke qenë të lidhur në Internet, krahas sjelljes tonë së qënurit në-linjë shumë e rëndësishme është dhe ruajtja e intimitetit. Janë të shumtë raportet e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve kompjuterike që flasin për shkelje të intimitetit. Pa dyshim, këto raporte nuk kursejnë as rrjetet sociale si Facebook, Twitter, MySpace, dhe të tjera. Po ta shikojmë këtë problematik nga këndvështrimi i biznesit, vërejmë se bizneset janë shumë të shqetësuar me shkeljen e intimitetit sepse kjo për ta do të thotë me pak tregti elektronike. Ndërsa kur e shikojmë nga këndvështrimi i përdoruesit edhe pse shqetësimi duket të mos jetë në nivelin e biznesit, sërish tema e intimiteti në Internet sikur synon të zë një nga vendet e para të shqetësimeve të përdoruesve. Pavarësisht, një gjë është më se e sigurt që industria e teknologjisë informative ditë e më shumë po bëhet më e vetëdijshme me problemin e intimitetit në Internet, me çka edhe i tërë potenciali i saj zhvillimor si në harduer ashtu edhe në softuer është orientuar kah realizimi i mekanizmave për ta bërë lundrimin në Internet sa më të sigurt. Me këtë edhe jetën në Internet, si një botë virtuale, sa më të shëndetshme.

Hyrje: Pretty Good Privacy (PGP)

Pretty Good Privacy apo PGP siç edhe i referohen shpesh është një softuer me anë të së cilit bëhet shifrimi i të dhënave për tu transmetuar pastaj përmes postës elektronike. I shpikur nga Phil Zimmerman, ky intimitet goxha i bukur krahas shifrimit të postës elektronike mundëson edhe ruajtjen e integritetit të tyre. Fillimisht një produkt pa pagesë, komercializohet në mesin e viteve të ’90-ta kur blihet nga Network Associates. Pastaj pronar të PGP ishte PGPCorporation, ndërsa tanimë është Symantec që ka blerë këtë teknologji. Symantec ofron më shumë se vetëm shifrimin dhe integritetin e të dhënave të postës elektronike. Siguria e të dhënave të përdoruesve të skajshëm, siguria e postës elektronike, autentikimi në rrjetet e reve dhe shumë të tjera paraqesin disa nga produktet e sotme që ofron PGP Corporation në rrafshin e sigurisë kompjuterike. Megjithatë, të gjithë të interesuarit e PGP mund të shkarkojnë edhe versionet pa pagesë nga Interneti ndërsa me mundësi përdorimi për kohë të caktuar nga faqja e uebit të PGP Corporation:

Figura 1 - Faqja e uebit të Symantec
Figura 1 – Faqja e uebit të Symantec

PGP në aksion

PGP punon në principin që para se të dërgohet e dhëna e besueshme përmes postës elektronike, fillimisht duhet të shifrohet kjo e dhënë me PGP e pastaj të dërgohet përmes postës së rëndomtë elektronike. Thuajse në mënyrë të ngjashme, në skajin tjetër të rrjetës kompjuterike përdoruesi që tanimë ka pranuar mesazhin me këtë të dhënë të besueshme do të duhet së pari ta përdorë PGP për të bërë deshifrimin e mesazhit ashtu që pastaj të jetë në gjendje ta përdorë atë. Sa i thjeshtë, aq edhe i papërshtatshëm! Por, duke qenë se kodi burimor i PGP është i pajisur me modifikimet e nevojshme për të bërë të mundur pajtueshmërinë dhe përfshirjen e këtij softueri në sistemet e ndryshme të postave elektronike, praktika ka dëshmuar se PGP shumë lehtë bëhet pjesë përbërëse e aplikacioneve të postave elektronike të përdoruesve.

Varësisht se a është zgjedhur besueshmëria, integriteti, autentikimi apo ndonjë kombinim i ndonjërës nga këto, PGP ekzekuton aksionet ne vijim:

  • Krijon çelësin e sesionit të rastit për algoritmin simetrik.
  • Shifron mesazhin me ane të çelësit te sesionit (për besueshmëri te mesazhit).
  • Shifron çelësin e sesionit sipas çelësit publik të pranuesit.
  • Bën shifrimin e mesazhit dhe klasifikimin e tij; e firmos shifrimin e mesazhit me çelësin e shifruar privat të dërguesit (për integritet dhe autenticitet të mesazhit).
  • Ia bashkangjet çelësin e shifruar të sesionit mesazhit të shifruar dhe të klasifikuar.
  • E transmeton mesazhin deri te dërguesi.

Avantazhet e PGP:

Zimmerman është i bindur se avantazhet e PGP, që fillimisht ishte zhvilluar si projekt për të drejtat e njeriut për ti mbrojtur individët nga qeveritë tiranike, i tejkalojnë disavantazhet. Zaten edhe kjo mund të jetë një nga arsyet që PGP përdoret nga çdo organizatë për të drejtat e njeriut në botë. Disa nga avantazhet e PGP janë:

  • PGP është i lehtë për tu përdorur.
  • Me PGP secili përdorues vendos se cilit çelës duhet ti besojë.
  • Certifikatat janë opsionale në PGP, që do të thotë se secili mund ti lëshoj certifikatë secilit, dhe është përdoruesi ai që vendosë se cilës certifikatë duhet ti besojë për të autentikuar dikë.
  • Gjatë deshifrimit të të dhënave me PGP, ju mundësohet të përcaktoni se e dhëna është skedarë tekstual apo binar.
  • Me qëllim të kursimit të bitëve, PGP kompreson skedarin para se ta dërgojë atë pavarësisht se a është tekstual apo binar.
Figura 2 - PGP Global Directory për verifikimin e çelësave
Figura 2 – PGP Global Directory për verifikimin e çelësave

Disavantazhet e PGP:

Për dallim nga avantazhet, ekzistojnë edhe disa avantazhe të PGP si në vijim:

  • PGP në secilin mesazh përfshin edhe fushën EMRI I SKEDARIT.
  • PGP përfshinë kohën kur herën e fundit skedari është modifikuar.
  • PGP lejon të përdorët çfarëdo emri, duke shkaktuar kështu që përdoruesit të firmosin certifikatat sikur të jenë çelësa publik.
  • PGP nuk supozon se gjithnjë skedari i shifruar duhet të kodohet për tu dërguar me postë elektronike.
  • PGP nuk kërkon përdorimin e certifikatave, edhe pse ato e lehtësojnë punën me sistemet e sigurisë së intimitetit.

Kokluzioni

PGP mund të konsiderohet një protokoll tjetër i sigurt i postës elektronike. Nisi si implementim në domenin publik të vetëm, për tu shpërndarë pastaj në gjithë botën. Mjerisht, ishte RSADSI dhe autoritetet qeveritare që i shkaktuan PGP të kalojë në kontrabandë. Për ironi, që nga fillimi PGP ka qenë legal dhe në dispozicion në shumë vende të botës. Duke qenë se patenta e RSA vlente vetëm për ShBA dhe fakti që shtetet tjera kanë politika tjera të importit, eksportit dhe përdorimit të teknologjive për siguri të intimitetit, legaliteti i PGP mbeti pothuajse gjithnjë i diskutueshëm. Pavarësisht, PGP me natyrën e saj të intimitetit goxha të bukur edhe përkundër problemeve të ndërlidhura me ligjshmërinë e përdorimit të saj, sërish anë e mbanë botës inspiroi përdorues të shumtë të cilët e përdorën për të përkrahur liritë individuale të tyre, krenaritë prej eksperti dhe dëshirat e tyre për të qenë të pavarur nga nevoja për çfarëdo fshehtësie.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi