Çka është Solid State Drive (SSD)?

Pyetje: Më intereson të dijë për  disqet Solid State Drive (SSD), andaj  çfarë është një disk Solid State Drive (SSD)?

Miloti

Përgjigje: I nderuari Milot, faleminderit për pyetjen tuaj!

Fillimisht, le të përpiqemi ti japim kuptim në gjuhën shqipe diskut Solid State Drive (SSD). Atëherë, përkthimi fjalë për fjalë do të ishte Njësia e Diskut me Gjendje të Fortë. Edhe pse mund të tingëllojë përafërsisht njëjtë ky përkthim me Njësinë e Diskut të Ngurtë (Hard Disk Drive – HDD), sërish dallojnë! E në fakt, ajo çfarë i dallon këto lloje të disqeve është struktura apo gjendja e tyre. Përderisa njësinë e diskut të ngurtë (HDD) e karakterizojnë pjesët lëvizëse si: pllaka e metaltë e lyer me material magnetik, koka për shkrim dhe lexim, cilindri (në rastin e disqeve me më shumë pllaka) dhe motori për lëvizjen e pllakave; njësia e diskut me gjendje të fortë (SSD), prej nga edhe vjen përkufizimi për këtë lloj disku, nuk përmban pjesë lëvizëse meqë kryesisht përbëhet nga qarqet e integruara që luajnë rolin e kujtesës së shpejtë për të ruajtur të dhënat. Këto lloj disqe sot i hasim në forma të ndryshme:

– disku i shpejtë me portë USB,

– kartë e kujtesës,

– disku RAM,

– disku elektronik,

– etj.

Në figurën në vijim, paraqitet dallimi në mes të Njësisë së Diskut me Gjendje të Fortë (SSD) dhe Njësisë së Diskut të Ngurtë (HDD).

SSD vs HDD

Figura 1. Dallimi në mes të diskut SSD dhe diskut HDD (Howtogeek, 2011)

Nga ajo që u përmend, mund të konkludojm se disku SSD ditë e më shumë po bëhet teknologji bindëse në raport me diskun HDD, zaten edhe kjo është arsyeja se përse së fundmi sistemet kompjuterike (laptop dhe desktop) ofrohen me disk SSD që përmban sistemin operativ dhe disk HDD që përdoret për ruajtjen e të dhënave. Natyrisht me gjithë epërsitë që disku SSD i ka në krahasim me diskun HDD, sërish çmimi për GB (giga bajt) mbetet një nga faktorët që e lë mbrapa diskun SSD në përzgjedhjen për të qenë pajisja parësore për ruajtjen e të dhënave.

Shpresoj të jetë përgjigje e duhur për pyetjen tuaj.

paqe dhe shëndet,

Bekimi