Karakteri i besueshëm i TCP!

“Sajimi i politikës për sigurinë e rrjeteve mund të jetë i ndërlikuar për faktin që një politikë racionale kërkon që organizata të ndërlidhë sigurinë e kompjuterëve dhe të rrjeteve me sjelljen njerëzore dhe të vlerësoj dobinë e informacionit.” Douglas E. Comer

Transmission Control Protocol (TCP) funksionon ne shtresën e Transportit të Modelit OSI, respektivisht të Modelit TCP/IP. TCP është protokoll i orientuar-në-lidhje që do të thotë se vendos sesionin në mes të dy hosteve para se komunikimi te realizohet në mes tyre. Në përgjithësi TCP ofron besueshmëri në komunikimet e IP, respektivisht TCP shton veçoritë si kontrollin e rrjedhës, sekuencën si dhe detektimin dhe korrigjimin e gabimit. Me anë të rreshtave në vijim do të shpalosim karakterin e besueshëm të TCP në rrjetat kompjuterike të bazuara në IP.

Nevoja për një model referimi

Dekada më parë, Departamenti i Mbrojtjes të Sh.B.A. mori iniciativë të realizojë një rrjet kompjuterike e cila do të ishte e aftë të mbijetoj humbjet në harduerin e nën-rrjeteve, ashtu që komunikimet ekzistuese të mos ndërpriten. Me disa fjalë, Departamenti i Mbrojtjes dëshironte që komunikimet të mbesin të paprekura për aq kohë sa makinat burim dhe destinacion vazhdojnë të funksionojnë, edhe sikur disa makina ose linja të komunikimit në mesin e tyre në mënyrë të papritur të nxjerrën nga funksionimi. Në këtë mënyrë, qe e nevojshme të realizohet një arkitekturë me fleksibilitet meqë u parashikuan aplikacione me kërkesa divergjente të klasifikuara nga ato për transferim të skedarëve e deri tek transmetimet e bisedave në kohë reale. Kështu, aftësia për të lidhur rrjetet e shumta përmes bashkimit rezultoi me shpikjen e arkitekturës me shtresa e njohur si Modeli i Referimit TCP/IP.

Nevoja për shtresë të besueshme

Në Modelin e Referimit TCP/IP shtresa mbi (shtresën) Internet zakonisht quhet Shtresa e Transportit. Është dizajnuar për të lejuar entitetet e barabartë në postat burim dhe destinacion të vazhdojnë me transmetim, po ashtu si edhe Shtresa e Transportit në Modelin e Referimit OSI. Protokollet e Transportit ofrojnë besueshmëri, e cila është thelbësore për shumicën e aplikacioneve. Dy protokolle të transportit nga skaji-në-skaj janë identifikuar në këtë shtresë dhe njëri nga ta është TCP, një protokoll i besueshëm i orientuar-në-lidhje që mundëson vargun e bajtëve të gjeneruar nga një kompjuter të bartet pa asnjë gabim deri tek secili kompjuter në Internet. TCP e ndan vargun e bajtëve dalës në pjesë të veçanta dhe secilën nga to e bartë deri tek shtresa e Internetit. Ne destinacion, TCP pranues ri-grumbullon pjesët e veçanta të pranuara të vargut të bajtëve në varg hyrës.

Nevoja për protokoll të besueshëm

TCP si protokoll i orientuar-në-lidhje me besueshmëri nga skaji-në-skaj, është dizajnuar për t’iu përshtatur protokolleve me hierarki me shtresa të cilët përkrahin aplikacionet me rrjete të shumta. TCP ofron komunikim ndër-shqyrtues në mes të kompjuterëve të ndërlidhur për rrjetet kompjuterike për komunikim. Ekzistojnë disa supozime në lidhje me besueshmërinë e protokolleve për komunikim poshtë shtresës së Transportit. Kështu, TCP pretendon të marrë një datagram të thjeshtë dhe potencialisht të dyshimtë nga protokollet e niveleve të ulëta. TCP duhet të rikthej të dhënat që janë dëmtuar, humbur, dyfishuar, ose shpërndarë pa rregull nga sistemi për komunikim i Internetit. Kjo arrihet duke i vlerë dhënë një numër rendor secilit oktet të transmetuar, dhe duke kërkuar një njoftim (ACK) pozitiv nga TCP pranuese. Në qoftë se njoftimi nuk është pranuar brenda kohës së paraparë, atëherë e dhëna ri-transmetohet. Në anën e pranuesit, numrat rendor përdoren për të korrigjuar renditjen e segmenteve të cilët mund të pranohen jashtë rregullit dhe të eliminohen dyfishimet e mundshme. Dëmi trajtohet duke i shtuar një sasi verifikimi secilit segment të transmetuar të cilët kontrollohen në pranim duke i hequr segmentet e dëmtuar.

Nevoja për transmetim të besueshëm

Transmetimi bëhet i besueshëm me anë të përdorimit të numrave rendor dhe njoftimeve. Konceptualisht, secilit oktet të të dhënave i caktohet një numër rendor. Numri rendor i oktetit të parë të të dhënave në segment transmetohet me atë segment dhe quhet numri rendor i segmentit. Segmentet po ashtu bartin edhe një numër të njoftimit i cili është numri rendor i oktetit të të dhënave të ardhshme të pritura në drejtimin e kundërt. Kur TCP transmeton një segment që bart të dhëna, vendos kopjen në radhën për ri-transmetim dhe fillon të matë kohën. Kur njoftimi për të njëjtat të dhëna është pranuar, segmenti shlyhet nga radha. Në qoftë se njoftimi nuk është pranuar brenda kohës së paraparë, segmenti ri-transmetohet. Një njoftim i TCP nuk garanton që e dhëna është bartë deri tek përdoruesi i fundit, por vetëm faktit që TCP pranuese ka marrë përgjegjësinë për të bërë një gjë të tillë. Për të qeverisur rrjedhjen e të dhënave në mes të TCP, vihet në punë mekanizmi i kontrollit të rrjedhjes. TCP pranuese i raporton një dritareje të TCP dërguese. Kjo dritareje përcakton numrin e okteteve, duke filluar me numrin njoftues që TCP pranuese është e gatshme ta pranoj.

Nevoja për funksionet e portave të TCP

Secili protokoll ose aplikacion i Modelit për Referim të TCP/IP-së ka një portë me të cilën është e/i lidhur. Kur komunikimi të jetë pranuar, kontrollohet porta e tij për të përcaktuar protokollin apo shërbimin për të cilin është paracaktuar. Kërkesa pastaj përcillet deri tek protokolli apo shërbimi. Tabela në vijim pasqyron disa nga portat më të përdorura:

Figura1

Konkluzioni:

Përderisa TCP vazhdon të funksionoj në mënyrë të besueshme dhe Interneti nuk bëhet krejtësisht i ndarë në pjesë, asnjë gabim në transmetim nuk do të prek bartjen e saktë të të dhënave.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi