Komandat për zgjidhjen e problemeve në rrjet
“Në qoftë se do të kam një orë për të zgjidhur një problem unë do të shpenzoja 55 minuta duke menduar në lidhje me problemin dhe 5 minuta duke menduar për zgjidhje.” Albert Einstein
A po bëhet Windows si Linux? Ndoshta! Pavarësisht, që nga versioni Windows Server 2008, Microsoft ka ofruar dhe po ofron në versionet e Windows për server edhe ndërfaqësin e linjës së komandës. Si edhe në Windows Server 2008, është korniza PowerShell ajo që i prinë ndërfaqësit me linjën e komandës në Windows Server 2012. Me anë të kësaj kornize, administratorët e sistemeve kanë mundësinë që ti automatizojnë dhe menaxhojnë detyrat në Windows Server 2012. Ndaj në rreshtat në vijim do të listohen disa nga komandat më të përdorura për punë në rrjet sa herë që paraqitet nevoja për të marrë informatën e dorës së parë për zgjidhjen e problemeve të paraqitura.
Komanda ipconfig
Komanda ipconfig (shih figurën 1) përdoret për ta mësuar adresën e protokollit të internetit (IP) të kompjuterit lokal. Krahas adresës së IP, ne marrim edhe informatë për maskën e nën-rrjetëzimit (në Ang. subnet mask) dhe portëkalimin e parazgjedhur (në Ang. default gateway). Sintaksa e komandës ipconfig është:
ipconfig
Figura 1. Komanda ipconfig
Komanda ping
Komanda ping (shih figurën 2) kryesisht përdoret për të verifikuar lidhjet fizike në mes të dy kompjuterëve apo edhe në mes të dy rrjeteve kompjuterike qoftë në rrjetet LAN, WAN apo edhe në Internet. Sintaksa e komandës ping është:
ping adresa_e_IP
Figura 2. Komanda ping
Komanda getmac
Komanda getmac (shih figurën 3) shfaq adresën fizike të ndërfaqësit të rrjetit të kompjuterit lokal. Sintaksa e komandës getmac është:
getmac
Figura 3. Komanda getmac
Komanda hostname
Komanda hostname (shih figurën 4) shfaq emrin e kompjuterit lokal. Sintaksa e komandës hostname është:
hostname
Figura 4. Komanda hostname
Komanda tracert
Komanda tracert (shih figurën 5) përcakton rrugën nga nisja (kompjuteri lokal) e deri tek destinacioni (kompjuteri i skajshëm). Në fakt në këtë shtegtim adresat e shfaqura të protokolleve të internetit (IP) paraqesin ndërfaqësit e rrugëzuesve (në Ang. router) që protokolli ICMP i takon rrugës. Sintaksa e komandës tracert është:
tracert emri_i_domenit
Figura 5. Komanda tracert
Komanda netstat
Komanda netstat (shih figurën 6) paraqet informatat si: lidhjet TCP, portat, statistikat e Ethernet, tabelën e itinerarit të IP, statistikat e IPv4 dhe të IPv6. Sintaksa e komandës netstat është:
netstat
Figura 6. Komanda netstat
Komanda net share
Komanda net share (shih figurën 7) shfaq të gjitha resurset e përbashkuara në kompjuterin lokal. Sintaksa e komandës net share është:
net share
Figura 7. Komanda net share
Komanda nslookup
Komanda nslookup (shih figurën 8) shfaq informatat e infrastrukturës së Domain Name System (DNS) në rrjetin lokal. Sintaksa e komandës nslookup është:
nslookup
Figura 8. Komanda nslookup
Komanda route
Komanda route (shih figurën 9) shfaq dhe mundëson modifikimin e tabelës së itinerarit të adresës lokale të IP. Sintaksa e komandës route është:
route
Figura 9. Komanda route
Komanda whoami
komanda whoami (shih figurën 10) shfaq emrin e domenit dhe emrin e prëdoruesit aktual. Sintaksa e komandës whoami është:
whoami
Figura 10. Komanda whoami
Komanda winver
Komanda winver (shih figurën 11) nuk është komandë që i përket kategorisë së rrjetit. Në fakt është komandë më shumë informative meqë shfaq informatat në lidhje me sistemin operativ aktual. Sintaksa e komandës winver është:
winver
Figura 11. Komanda winver
Konkluzioni
Të gjithë ata përdorues të kompjuterit të cilët kanë përvojë me sistemin e hershëm operativ MS DOS janë të familjarizuar me ndërfaqësin e linjës së komandës ndaj nuk ju paraqet problem të punojnë me komandat në sistemin operativ Windows Server 2012. Për më shumë, tashmë Microsoft secilin sistem operativ për server krahas me ndërfaqësin e bazuar në grafik po e shoqëron edhe me ndërfaqësin e linjës së komandës. Atëherë, nëse deri më tani e keni anashkaluar apo nuk keni shfaq interesim për administrim të serverit përmes komandave, mbase është koha të filloni ta përdorni PowerShell.
Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.
paqe dhe shëndet,
Bekimi