Llojet e rrjeteve kompjuterike

“Nëse një vend dëshiron të jetë i lirë nga korrupsioni dhe të bëhet një vend i mendjeve të ndritura, ndjej fuqishëm se janë tre anëtarë kyç të shoqërisë që mund ta bëjnë këtë ndryshim. Ata janë babai, nëna dhe mësuesi.” A. P. J. Abdul Kalam

Gjithçka nisi si nevojë e ndarjes së resurseve. Çfarë ekzistonte si koncept dhe përpjekje për të realizuar rrjetin e parë kompjuterik në vitet e ’50-ta, u arritë në vitet e ’60-ta duke ndërlidhur disa nga universitet e para të asaj kohe. Me kalimin e kohës, dëshira për të realizuar rrjetin e parë kompjuterik si rezultat i kureshtjes tanimë ishte konvertuar në nevojë që do të plotësonte kërkesat. Kjo zaten edhe çoi në zhvillimin dhe avancimin e teknologjive të rrjeteve kompjuterike. Kështu, nevoja për të lidhur dhe ndërlidhur më shumë kompjuter dhe lokalitete në rrjetet kompjuterike rezultoi në vetvete me nevojën për të përcaktuar topologjitë, arkitekturat, teknologjitë dhe kategoritë e rrjeteve kompjuterike. Në këtë mënyrë lindën rrjetet kompjuterike si: rrjeti i hapësirës personale (PAN), rrjeti i hapësirës lokale (LAN), rrjeti i hapësirës së qytetit (MAN) dhe rrjeti i hapësirës së gjerë (WAN).

Rrjeti kompjuterik i hapësirës personale (PAN)

Po të kthehemi në kohë, kuptojmë që në të kaluarën në shoqërinë tonë ka qenë e vështirë të posedohet kompjuter në shtëpi dhe kjo kryesisht është lidhur me mirëqenien materiale meqë kompjuterët personal kanë qenë të kushtueshëm. Për dallim, në ditët e sotme ulja e kostos së përgjithshme të posedimit të kompjuterit personal detyrimisht kjo e ndërlidhur edhe me mirëqenien materiale dhe nevojën për të poseduar kompjuter kanë mundësuar që shumë familje të posedojnë kompjuter personal.

Si rezultat i jetës dinamike, sërish edhe kjo e ndërlidhur me mirëqenien materiale dhe nevojën, krahas kompjuterit personal në numër të madh në mjedisin shtëpiak hasim edhe printer, laptop, tabletë, telefon të mençur si edhe lidhje të Internetit. Shto këtu edhe pajisjet si telefoni VoIP, TV e mençur, dekoder satelitor dhe kabllor, kamerat për vëzhgim dhe pajisjet të tjera shtëpiake të cilat kanë ndërfaqës për lidhje në rrjetin kompjuterik shtëpiak. Atëherë, të gjitha këto pajisje të ndërlidhura në mes veti në një rrjet kompjuterik së bashku me serverin në rolin e portës mediale shtëpiake ku kryesisht ndodhen skedarët e të dhënave si audio dhe video e përbëjnë rrjetin e hapësirës personale.

Kështu, me një fjalë rrjeti i hapësirës personale (PAN) përkufizohet si rrjet kompjuterik i cili përdoret për ndërlidhjen dhe transmetimin e të dhënave në mes të pajisjeve të cilat ndodhen në një hapësirë personale siç është mjedisi shtëpiak. Zaten herë pas here ky rrjet kompjuterik quhet edhe rrjet i hapësirës shtëpiake (në Ang. Home Area Network – HAN).

Figura 1. Rrjeti i hapësirës personale (POSTECH, p.d.)
Figura 1. Rrjeti i hapësirës personale (POSTECH, p.d.)

Rrjeti kompjuterik i hapësirës lokale (LAN)

Tashmë që e dimë se çfarë është një rrjetë kompjuterik i hapësirës personale (PAN), na ndihmon shumë që ta kuptojmë më lehtë dhe më qartë rrjetin e hapësirës lokale (LAN). Në fakt, shikuar nga topologjia fizike dhe logjike këto rrjete kompjuterike thuajse nuk dallojnë aspak, ndaj e njëjta qëndron edhe për nga aspekti teknologjik (Ethernet 802.3) që përdorin këto rrjete për tu realizuar. Atëherë shtrohet pyetja, nëse këto rrjete janë thuajse të njëjta përse kemi dy përkufizime?

Siç u përmend në fillim, për ta kuptuar më lehtë përkufizimin për rrjetin e hapësirës lokale (LAN) do ta krahasojmë me rrjetin e hapësirës personale (PAN). Po ti shikojmë me vëmendje pajisjet që marrin pjesë në këto dy rrjete kompjuterike, vërejmë që rrjeti i hapësirës personale (PAN) dominohet nga pajisjet mobile (të lëvizshme), përderisa rrjeti i hapësirës lokale (LAN) kryesisht përbëhet nga pajisje që qëndrojnë në një vend (statike). Të dy këto rrjete kompjuterike mbulojnë hapësirat lokale, mirëpo LAN ka shtrirje më të madhe se sa PAN për faktin që rrjeti i hapësirës lokale (LAN) zakonisht shtrihet në një kat të ndërtesës, në disa kate të ndërtesës, apo edhe në disa ndërtesa që ndodhen pranë njëra tjetrës.

Krahas llojit të pajisjeve që marrin pjesë në rrjet si edhe madhësisë së rrjetit, një dallim tjetër është fakti që PAN kryesisht organizohet rreth individit ndërsa LAN organizohet rreth organizatës, biznesit apo subjektit juridik. Kjo zaten edhe i jep kuptimin rrjetit të hapësirës lokale (LAN) si rrjet kompjuterik ku nëpunësit ndajnë resurset e rrjetit me njëri tjetrin. Atëherë nga të gjitha këto që u thanë, mund të konkludojm se rrjeti i hapësirës lokale (LAN) është rrjeti kompjuterik që ndërlidhë dy apo më shumë kompjuter në një hapësirë lokale me qëllim të ndarjes së resurseve. Në figurën 2 është paraqitur rrjeti i hapësirës lokale (në Ang. Local Area Network – LAN):

Figura 2. Rrjeti i hapësirës lokale (Wikipedia, 2015)
Figura 2. Rrjeti i hapësirës lokale (Wikipedia, 2015)

Rrjeti kompjuterik i hapësirës së qytetit (MAN)

Nga këndvështrimi i mbulueshmërisë, rrjeti kompjuterik i hapësirës së qytetit (MAN) është më i madh se rrjeti kompjuterik i hapësirës lokale (LAN) dhe më i vogël se rrjeti kompjuterik i hapësirës së gjerë (WAN). Ndërsa nga këndvështrimi i shpejtësisë të transmetimit të të dhënave, rrjeti i hapësirës së qytetit (MAN) është më i shpejtë sesa rrjeti i hapësirës lokale (LAN) dhe rrjeti i hapësirës së gjerë (WAN). Si edhe në rastin e rrjetave kompjuterike paraprake edhe në rastin e rrjeti të hapësirës së qytetit (MAN) arsyeja për ekzistimin e tyre është nevoja për ndarjen e resurseve në regjionin e qytetit apo të metros. Ndaj, përkufizimi për rrjetin kompjuterik të hapësirës së qytetit është si në vijim:

  • një grup i rrjetave kompjuterike të hapësirave lokale (LAN) të ndërlidhura përbrenda kufirit gjeografik të qytezës apo qytetit

 

Në figurën 3 është paraqitur rrjeti i hapësirës së qytetit (në Ang. Metropolitan Area Network – MAN):

Figura 3. Rrjeti i hapësirës së qytetit (The Office Network, 2014)
Figura 3. Rrjeti i hapësirës së qytetit (The Office Network, 2014)

Rrjeti i kompjuterik i hapësirës së gjerë (WAN)

Hapësirat të cilat nuk mbulohen dot nga rrjeti kompjuterik i hapësirës lokale (LAN), respektivisht nga rrjeti kompjuterik i hapësirës së qytetit (MAN), atëherë mbulohen nga rrjeti kompjuterik i hapësirës së gjerë (WAN). Kështu, rrjeti i hapësirës së gjerë (WAN) është një rrjet kompjuterik i cili mbulon një hapësirë të madhe gjeografike duke përdorur linjat e dedikuara të telekomunikimit si linjat e telefonit, linjat e dhëna me qira dhe satelitët.

Pra, përderisa rrjetet tjera kompjuterike kanë kufizime gjeografike për nga shtrirja fizike e tyre, rrjeti i hapësirës së gjerë (WAN) nuk ka kufizime gjeografike. Nga ky përkufizim kuptojmë që në përbërjen e rrjetit të hapësirës së gjerë (WAN) përfshihen edhe rrjeti i hapësirës personale (PAN), rrjeti i hapësirës lokale (LAN) dhe rrjeti i hapësirës së qytetit (MAN). Ndaj shembulli më i mirë i rrjetit të hapësirës së gjerë (WAN) është Interneti, i cili ndërlidh të gjitha rrjetet kompjuterike të përmendura në këtë kapitull. Në figurën 4 është paraqitur rrjeti i hapësirës së gjerë (në Ang. Wide Area Network – WAN):

Figura 4. Rrjeti i hapësirës së gjerë (Mt. San Jacinto College, 2015)
Figura 4. Rrjeti i hapësirës së gjerë (Mt. San Jacinto College, 2015)

Konkluzioni

Nga përkufizimet e mësipërme, u njohëm me specifikat e secilit nga llojet e rrjeteve kompjuterike. Edhe pse dallimet mund të jenë të konsiderueshme nga këndvështrimi i shtrirjes gjeografike të këtyre rrjeteve kompjuterike e me të edhe të teknologjisë që përdoret për realizimin e secilës prej tyre, sërish elementi kryesor që i ofron këto rrjete kompjuterike është vetë qëllimi i ekzistencës së tyre. Ndaj, qëllimi kryesor i këtyre rrjeteve kompjuterike është ndarja e resurseve.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi