Modelet OSI dhe TCP/IP

“Marrëdhëniet personale janë gjithmonë çelësi për biznes të mirë. Ju mund ta blini rrjetin; por nuk mund ti blini miqtë.” Lindsay Fox

Që nga përkufizimet e modeleve referencë si OSI dhe TCP/IP janë dhënë ilustrime nga më të ndryshmet për të përshkruar saktë dhe thjeshtë procesin e komunikimit të dy kompjuterëve në një rrjet kompjuterik apo në Internet. Ndaj në rreshtat në vijim do të përpiqem që të sjellë shembujt më praktik të përshkrimit të modeleve referencë përkatëse. Por, para se të njihemi me shembujt në fjalë, le të shpalosim paksa historikun e dy modeleve referencë si OSI dhe TCP/IP.

Modeli referencë TCP/IP

Nëse e kemi në konsideratë faktin që komunikimi në mes të dy kompjuterëve përbëhet nga segmente të caktuara dhe se këto segmente në botën e rrjeteve kompjuterike sipas modeleve referencë quhen shtresa të komunikimit, atëherë nuk do ta kemi të vështirë ta kuptojmë natyrën e shtresuar të modelit referencë TCP/IP. Zanafilla e këtij modeli referencë daton që nga vitet e ’60-ta e që njihet edhe si modeli DARPA. Në fakt, ishte agjencioni i qeverisë së ShBA-së DARPA i cili zhvilloi modelin referencë katër shtresor të quajtur TCP/IP. Pa mëdyshje, ky model mori emrin TCP/IP sipas protokolleve: IP (Internet Protocol) dhe TCP (Transmission Control Protocol), por kjo nuk do të thotë se nuk përdoren dhe nuk bëjnë pjesë edhe protokolle të tjera të komunikimit në modelin referencë TCP/IP. Andaj, për të mos i ngatërruar protokollet TCP dhe IP me modelin referencë TCP/IP, të kemi parasysh faktin që modeli referencë TCP/IP është një bashkësi e protokollesh ku protokollet TCP dhe IP janë dominues. Në figurën 1 është paraqitur modeli referencë TCP/IP.

Figura 1. Modeli referencë TCP/IP (HostingAdvice.com, 2014)
Figura 1. Modeli referencë TCP/IP (HostingAdvice.com, 2014)

Në secilën shtresë operon një numër i konsiderueshëm i protokolleve. Disa nga protokollet më të përdorura nëpër shtresa të modelit referencë TCP/IP janë dhënë në vijim:

  • shtresa e aplikacionit – operojnë protokollet si: telnet, FTP, SMTP, DNS, RIP, dhe të tjerë.
  • shtresa e transportit – operojnë protokollet TCP dhe UDP.
  • shtresa e internetit – operojnë protokollet IP, ARP, IGMP, dhe ICMP.
  • shtresa e rrjetit – operojnë teknologjitë e komunikimit si ethernet, token ring, frame relay dhe ATM.

Kështu, në procesin e komunikimi të dy kompjuterëve përmes modelit referencë TCP/IP, aplikacionet apo programet kompjuterike bashkëveprojnë me shtresën e aplikacionit. Varësisht nga lloji i programit softuerik vendoset bashkëveprimi me protokollin adekuat të shtresës së aplikacionit. Pasi të jetë përpunuar kërkesa e programit softuerik për komunikim në rrjet nga ana e protokollit përkatës të shtresës së aplikacionit, e njëjta kërkesë nga i njëjti protokoll përcjellët tutje në shtresën e mëposhtme tek protokollet përkatëse.

Në rastin e modelit referencë TCP/IP, protokolli HTTP nga shtresa e aplikacionit do të bashkëvepron me protokollin TCP në shtresën e transportit. Protokolli TCP merr përsipër që e dhëna e ardhur nga protokolli HTTP të paketohet në segment të quajtura datagramë si edhe të kontaktohet protokolli IP nga shtresa e internetit ashtu që këto segmente të të dhënave të transmetohen deri në destinacion. Protokolli IP, datagramet e pranuara nga TCP i copëzon në paketa dhe të njëjtave ua shton elementët logjik si: IP burim dhe IP destinacion. Paskëtaj, paketat përcillen tek shtresa më e ulët e modelit referencë TCP/IP siç është ajo e rrjetit ku varësisht nga teknologjia e komunikimit që përdor rrjeti i hapësirës lokale (LAN) do të operojnë protokollet përkatëse.

Praktika e sotme na tregon se është Ethernet si teknologji e komunikimit që përdoret me të madhe në nivelin e rrjeteve të hapësirave lokale (LAN) ndaj edhe protokollet si LLC, MAC dhe fizik (sinjalet elektrike) vijnë në shprehje. Në këtë shtresë, paketat e ardhura nga shtresa e internetit do të organizohen në frame dhe si të tilla do të përcillen tutje deri tek pajisja qendrore (në Ang. hub ose switch) dhe pastaj deri tek rrugëzuesi (në Ang. router) për tu përcjellë tutje në Internet deri në destinacion.

Modeli referencë OSI

Meqë modeli referencë TCP/IP ka një qasje më të shlirshme të shtresimit, si dhe faktit që në origjinë modeli TCP/IP nuk është model për përshkrimin e përgjithshëm dhe të hollësishëm të të gjitha rrjeteve të komunikimit, atëherë Organizata Ndërkombëtare për Standarde (ISO) realizoi kornizën e Ndërlidhjes të Sistemeve të Hapura (OSI). Modeli referencë OSI përbëhet nga shtatë shtresa si: fizike, lidhja e të dhënave, rrjetit, transportit, sesionit, prezantimit dhe aplikacionit. Kështu, modeli referencë OSI bëri të mundur përshkrimin e hollësishëm dhe të detajuar të punës së komponentëve harduerike dhe softuerike të përfshira në procesin e komunikimit në mes të kompjuterëve. Kjo zaten edhe pasqyron qasjen e rreptë të shtresimit të modelit OSI në krahasim me modelin referencë TCP/IP. Në figurën 2 është paraqitur modeli referencë OSI.

Figura 2. Modeli referencë OSI (TransTutors.com, 2015)
Figura 2. Modeli referencë OSI (TransTutors.com, 2015)

Për ta kuptuar më mirë principin e punës të modelit referencë OSI, marrim shembullin e linjës së montimit në fabrikën e automobilave. Ashtu siç mund ta kemi parë në emisionet dokumentare apo edhe të na ketë treguar ndonjë mik i yni që punon në këto fabrika, gjithçka fillon nga shasia (apo korniza) e cila vendoset si element i parë në linjën e montimit. Në secilin hap apo segment të montimit vendoset një apo më shumë elemente (apo pjesë) të automobilit. Pas disa hapave apo segmenteve, në fund të linjës së montimit shfaqet një automobil i kompletuar i cili pastaj dërgohet për testim dhe paskëtaj në depo për tu transportuar tutje.

Në mënyrë të ngjashme ndodh edhe me modelin referencë OSI sa herë që përshkruhet një sesion i komunikimit në mes të dy kompjuterëve. Në secilën shtresë ndodh një aktivitet ti caktuar që e përgatit të dhënën për shtresën pasuese.

  • shtresa e aplikacionit – është përgjegjëse për të bashkëvepruar me sistemin operativ apo programin aplikativ sa herë që përdoruesi vendos të komunikoj me kompjuterin e tij në rrjetin kompjuterik.
  • shtresa e prezantimit – i merr të dhënat nga shtresa e aplikacionit dhe i përfaqëson ato në formatin pranuar për shtresat pasuese.
  • shtresa e sesionit – është përgjegjëse për vendosjen e sesioneve të komunikimit sa herë që paraqitet nevoja (kërkesa).
  • shtresa e transportit – fakti që në këtë shtresë operon protokolli TCP, atëherë transportit të të dhënave i shton besueshmërinë, rregullin e transmetimit dhe kontrollin për gabime në transmetim.
  • shtresa e rrjetit – elementët logjik si adresat e IP dhe protokollet e rrugëtimit të të dhënave marrin formë në këtë shtresë.
  • shtresa e lidhjes së të dhënave – është përgjegjëse për vlerë dhënien e protokolleve fizike varësisht nga teknologjia e komunikimit e përdorur në rrjetin e hapësirës lokale (LAN).
  • shtresa fizike – përfaqëson harduerin e rrjetit kompjuterik si ndërfaqësi i rrjetit, mediumi për bartje të të dhënave dhe pajisjet e rrjetit; si dhe aspektin virtual të rrjetit siç janë: sinjalet elektrike dhe koha e transmetimit.

Konkluzioni

Pavarësisht se a bëhet fjalë për qasje teorike në lidhje me komunikimin në rrjetin kompjuterik siç është modeli referencë OSI, apo për qasje praktike në lidhje me komunikimin në rrjetin kompjuterik siç është modeli referencë TCP/IP, të dy së bashku vazhdojnë të jenë modelet referencë për përshkrimin dhe realizimin e procesit të komunikimit në rrjetet kompjuterike. Gjithashtu, edhe përkundër faktit se teknologjitë e komunikimit janë avancuar, se tash e sa kohë ka filluar implementimi i adresave të IPv6, se Internet2, Internet of Things, Internet of Everything dhe të tjerë janë vetëm disa nga përpjekjet për ta avancuar Internetin ekzistues, sërish në fushën e përshkrimit dhe realizimit të komunikimit në rrjetet kompjuterike modelet referencë OSI dhe TCP/IP mbeten lider të paprekur!

Shtojcë: Tabla e figurave

Në vijim është paraqitur tabela e cila përmban burimet e figurave të përdorura në këtë artikull.

Figura 1 http://www.hostingadvice.com/blog/tcpip-make-internet-work/
Figura 2 http://www.transtutors.com/homework-help/computer-science/networking/osi-model/