Qendra për studime të avancuara FIT: Internet i Sigurt

Internet i Sigurt

Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet në Internet

Të nderuar vizitorë,

Ju urojmë përzemërsisht mirëseardhjen në faqen tonë të internetit.

Interneti ka transformuar jetën moderne, duke ofruar komunikim të shpejt dhe qasje të pakufizuar në informata dhe shërbime. Mirëpo, interneti ka krijuar gjithashtu edhe mundësi të reja për keqpërdoruesit dhe abuzuesit e fëmijëve. Prandaj, pa përdorimin e masave të duhura mbrojtëse, fëmijët mbeten të ekspozuar shumë ndaj rreziqeve të ndryshme në internet, siç janë: cyber-dhuna, pornografia, apo qasja në materiale të tjera të dëmshme.

Është shumë me rëndësi që prindërit, së bashku me fëmijët, të vendosin rregulla se çka është e përshtatshme dhe e sigurt për t’u përdorur në internet dhe si fëmijët të sillen në mënyrë të përgjegjshme. Duke punuar së bashku prindërit dhe fëmijët, mund të përfitojnë më shumë nga përdorimi i internetit dhe në të njëjtën kohë të minimizojnë rrezikun që mund t’u kanoset fëmijëve nga përdorimi i pasigurt i internetit.

Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme për gjeneratat e ardhshme që të ndihen të sigurt në përdorimin e internetit, me qëllim që ata pastaj të përfitojnë nga zhvillimi dhe përparimi i tij. Kur flitet për sigurinë e fëmijëve në internet është me rendësi jetike të flitet hapur për rrezikun në lidhje me përdorimin e pasigurt të internetit. Në këtë mënyrë prindërit do të mësojnë se si t’i evitojnë apo të ballafaqohen me rreziqet që mund tu kanosen fëmijëve të tyre.

Qëllimi kryesor i kësaj faqe të internetit është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për sjelljet e fëmijëve në internet me dëshirën që fëmijët të mbahen të sigurt nga rreziqet e internetit, të njohura si dhuna, pornografia, krimi kibernetikë, ekspozimi ndaj përmbajtjes problematike dhe të paligjshme dhe rreziqet tjera të mundshme. Në këtë faqe gjithashtu ofrohen informata dhe këshilla për fëmijët me qëllim të rritjes së vetëdijesimit të fëmijëve lidhur me sigurinë në internet, informimin e fëmijëve lidhur me rreziqet potenciale gjatë përdorimit të internetit, dhe ofrohen këshilla dhe udhëzimeve se si fëmijët ti evitojnë rreziqet para se ato të bëhen probleme serioze.

Ne angazhohemi që të ndihmojmë fëmijët, prindërit, mësuesit dhe në përgjithësi qytetarët e Kosovës për të mësuar më shumë rreth çështjeve të sigurisë në internet. Me aktivitetet e tona, ne shpresojmë të informojmë publikun për rreziqet në internet dhe të ofrojmë zgjidhje për të mbajtur fëmijët sa më të sigurt kur qasen në internet. Në kuadër të projekteve të ndryshme janë përgatitur materiale (udhëzues, broshura, etj.) me qëllim të edukimit të fëmijëve, prindërve dhe mësuesve, për t’ju mësuar atyre si të jenë të sigurtë kur ata janë online, sigurinë dhe etikën dhe për të organizuar seminare me qëllim të ngritjes së vetëdijes te fëmijët se si të përdorin internetin të sigurt dhe që të jenë të kujdesshëm për rreziqet e mundshme.

Të drejtat e mia në Internet • Përgjegjësitë e mia në Internet

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Bekim Dauti’s Blog | Bekim Dauti’s Vlog