Windows Server 2012: Windows Server vs. Linux Server vs. Mac OS X Server

Si përmbledhje, nuk ka sistem operativ vërtetë të mirë ndaj zgjedhja është e juaja. Nëse i pëlqeni lojërat kompjuterike, atëherë zgjedhja është Windows. Programuesit mund të preferojnë Linux dhe prodhuesit e grafikës dhe videos ndoshta do të priren drejt Mac. Apo më mirë të provoni secilin sistem operativ dhe të shihni se cili është më i miri për ju!” Informatics-Tech.com

Në thelb, kur flitet për serverin pavarësisht se a bëhet fjalë për server që operon me Windows, apo Linux ose Mac OS X prapëseprapë nuk dallon, meqë vazhdon të jetë server që ofron shërbime në rrjet. Por, kur flasim nga mënyra se si implementohet, administrohet, menaxhohen resurset si dhe si mirëmbahet një server atëherë vërejmë dallime dhe kjo ndodhë për arsye të sistemit operativ të rrjetit që operon në server. Nga sistemet e shumta operative për rrjet që i njeh bota e rrjeteve kompjuterike, në rreshtat në vijim do të përmendim tre më të njohurit dhe që janë aktual në botën e serverëve.

Sistemi operativ Windows Server

Sistemi operativ i rrjetit Windows është produkt i kompanisë së mirënjohur Microsoft. Gjithçka nisi me sistemin operativ Windows NT i cili u paraqit në treg në fillim të viteve të 90’ta për të nis një epokë të re të sistemeve operative për server që më pastaj do të pasohet nga versionet e Windows Server. Karakteristikë e këtyre sistemeve operative është ndërfaqësi grafik i përdoruesit (GUI), edhe pse që nga versioni Windows Server 2008 ofrohet edhe opsioni Server Core që bazohet në ndërfaqësin e linjës së komandës (CLI). Sistemet operative për rrjet të Microsoft ofrohen në platformat 32-bit dhe 64-bit. Sistemi i skedimit të sistemeve operative për rrjet të Microsoft që nga Windows NT e deri tek Windows Server 2008 ka qenë New Technology File System (NTFS), ndërsa me paraqitjen e Windows Server 2012 u prezantua Resilient File System (ReFS) si pasardhës i NTFS. Vlen të përmendet se në çdo sistem operativ të ri Microsoft ka prezantuar risi teknologjike si në vijim:

  • në Windows NT është paraqitja e API 32-bitësh që zëvendësoi API 16-bitësh të vjetërsuar,
  • në Windows 2000 Server është paraqitja e Active Directory që zëvendësoi Windows Server Domain të Windows NT,
  • në Windows Server 2003 është paraqitja e Manage Your Server që e lehtësoi dukshëm procesin e konfigurimit të shërbimeve në server
  • në Windows Server 2008 është paraqitja e Hyper-V si platformë për virtualizim
  • në Windows Server 2012 është paraqitja e sistemit të ri të skedimit ReFS i cili e zëvendësoi sistemin e vjetër të skedimit NTFS
  • në Windows Server 2016, Microsoft paralajmëron risinë teknologjike Nano Server që kryesisht do të ofron shërbimet e infrastrukturës

FIgura6

Figura 1. Dritarja për lidhje me Windows Server 2016

Sistemi operativ Linux Server

Nëse ka diçka interesante në botën e teknologjisë së informatikës në përgjithësi, e sidomos atë të sistemeve operative në veçanti që vlen të përmendet, pa mëdyshje është sistemi operativ Linux. Kjo për faktin që bota e teknologjisë nuk njeh ndonjë iniciativë inovative të ketë mbledhur më shumë vullnetarë rreth vetës sesa vetë Linux. Gjithçka nisi si dëshirë për ta përmirësuar në funksionalitet një sistem operativ ekzistues si Minix. Në vend të Minix të përmirësuar doli që Linus Torvalds, në fillim të viteve të 90’ta, kishte zhvilluar një sistem të ri operativ i cili nuk ishte menduar të quhej Linux. Në fakt ajo çfarë Linus kishte arritur të zhvillonte ishte thelb që prej vitesh po i mungonte sistemit operativ Minix. Kështu, Linux licencohet nën projektin GNU GPL, pinguini bëhet maskota e Linux, botohet libri i parë për Linux “Linux Installation and Getting Started”, paraqitet virusi i parë në Linux i quajtur “Bliss”, mbahet panairi i parë i Linux, nxirren në treg revistat Linux Journal dhe Linux Weekly News dhe shumë aktivitete të tjera por më e rëndësishmja është se themelohet Linux community një ndër komunitetet më të mëdha në botë të zhvilluesve vullnetarë nga i gjithë globi që do të kontribuonin në zhvillimin e mëtutjeshëm të Linux. Linux në thelb është ndërfaqës i bazuar në linjën e komandës (CLI), por që ekzistojnë edhe versionet me ndërfaqës grafik të përdoruesit si KDE dhe GNOME ndër më të njohurat. Po ashtu Linux, si edhe Windows Server, ofrohet në platformat 32-bit dhe 64-bit. Unike për Linux janë edhe mënyrën se si në të kaluarën por edhe sot ky sistem operativ. Linux në disketë (tomsrtbt), në CD (Knoppix) dhe në diskun USB (Ubuntu) janë vetëm disa nga unikatet e këtij sistemi operativ. Meqë Linus Torvalds merret me zhvillimin dhe mirëmbajtjen e thelbit të Linux, janë distributorët (ndryshe edhe distro) të cilët merren me kompletimin dhe paketimin e sistemit operativ Linux si tërësi për ta ofruar në treg. Ndaj në vijim do të përmendim disa nga distributorët më të njohur që në treg ofrojnë Linux server:

  • Red Hat Enterprise Linux 7.1 me sistemin e ri të skedimit që njeh hapësirat për ruajtje të të dhënave deri në 500 TB
  • SUSE Linux Enterprise Server 12 me mundësinë e rikthimit të plotë të sistemit operativ
  • Oracle Linux 7.1 cili kryesisht është i bazuar në Red Hat Enterprise Linux 7.1
  • Slackware 14.1 është versioni më i ri, përndryshe është një ndër Linux serverët e parë që nga viti 1993
  • Novell Open Enterprise Server kryesisht është i bazuar në SUSE Linux Enterprise Server 12
  • Ubuntu Server 15.04 me mundësinë e pasqyrimit të 50,000-nyjeve në një fermë
  • Debian Server 8, një sistem operativ që ofrohet me më shumë se 43,000-paketa të para konfiguruara
  • Mageia Server 5, pasardhës i Mandrake dhe Mandriva Linux

Figura7

Figura 2. Dritarja për lidhje me SUSE Linux Enterprise Server 11

Sistemi operativ Mac OS X Server

Mbase për nga mosha, më i ri sesa sistemet operative Windows Server dhe Linux Server, por për nga besueshmëria gradualisht po fiton përkrahjen e industrisë për të operuar serverët e tyre me këtë sistem operativ. Sistemi operativ OS X Server në thelb është sistem operativ Unix, por i modifikuar konform tashmë ndërfaqësit të njohur grafik të sistemeve operative Apple për kompjuterët personal. Po sikur Windows Server dhe Linux Server, edhe OS X Server ofrohet në platformat 32-bit dhe 64-bit, më saktë që kur Apple vendosi të përdorë vetëm procesorët Intel në harduerin e vet, OS X Server ofrohet vetëm në platformën 64-bit. Kur jemi tek hardueri, vlen të përmendet fakti unik që ofron kompania Apple që krahas sistemit operativ për rrjet ofron edhe harduerin e vet në të cilët është i para instaluar OS X Server. Siç u përmend më parë, ndërfaqësi grafik i përdoruesit është dominant në OS X Server, por duke pas në konsideratë origjinën nga Unix, natyrisht që OS Server X mund të administrohet dhe menaxhohet në tërësi edhe përmes ndërfaqësit të linjës së komandës i cili po ashtu është pjesë përbërëse e OS X Server. Në vijim do të njihemi me disa nga versionet e OS X Server:

  • Mac OS X Server 1.0 (emri i koduar Raphsody) konsiderohet të jetë sistemi operativ për server i ofruar nga Apple
  • Mac OS X Server 10.0 (emri i koduar Cheetah Server) është sistemi i parë operativ që integron ndërfaqësin e sistemit operativ të kompjuterëve personal me atë të serverve në një të vetëm
  • Nga versioni Mac OS X Server 10.0 e deri tek Mac OS X Server 10.6 (emri i koduar Snow Leopard Server) është përdorur fjala Mac para emërtimit
  • Nga versionin Mac OS X 10.7 (emri i koduar Lion Server) largohet fjala Server nga emërtimi
  • Nga versioni OS X 10.8 (emri i koduar Mountain Lion Server) e deri tek i fundit OS X 10.11 largohet fjala Mac nga emërtimi
  • OS X 10.11 (emri i koduar El Capitan) është sistemi operativ më i ri i Apple që u ofrua në Shtator të këtij viti, ndaj versioni i fundit OS X Server 5.0 që merret nga App Store është OS-i pavarur që do të thotë se mund të instalohet në versionin paraprak OS X 10.10 (emri i koduar Yosemite) apo në këtë të fundit OS X 10.11

Figura8

Figura 3. Dritarja për lidhje me Mac OS X Server

Konkluzioni

Në përgjithësi, kur flitet për sistemet operative Windows, Linux dhe Mac vetvetiu nënkuptohet se përderisa Windows dhe Mac i përkasin një sistemi të mbyllur të mënyrës se si zhvillohen këto sisteme operative, në anën tjetër, siç edhe u ilustrua në këtë mësim, Linux është një sistem operativ me qasje të hapur të zhvillimit të tij falë praktikës së kodit të hapur (në Ang. open source). Iniciativa për kod të hapur nga Microsoft si edhe komponentët me kod të hapur nga Apple, janë vetëm disa dëshmi që tregojnë se Windows dhe Mac OS X po lëvizin në drejtimin e praktikës së kodit të hapur për palët e interesuara. Një aspekt tjetër ka të bëj me mënyrën e ofrimit të sistemit operativ në treg, e që në të kaluarën ishte vetëm Linux (më saktë distributorët e Linux) që ofrohej falas, ndërsa së fundi vërehen edhe lëvizjet e Microsoft dhe të Apple që po bëjnë të njëjtën. Microsoft ka ofruar falas përmirësimin e sistemeve ekzistuese Windows 7/8/8.1 me Windows 10, ndërsa Apple ofron falas OS X Server 5.0 për sistemet ekzistuese. Pavarësisht, duket që nga ky diversitet dhe konkurrencë po përfiton përdoruesi.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Bekim Dauti’s Blog | Bekim Dauti’s Vlog