Windows Server 2012: Si ta instaloni Remote Access?

Revolucioni dixhital është shumë më i rëndësishëm se shpikja e shkrimit apo edhe e printimit.” Douglas Engelbart

Në vazhdën e prezantimit të roleve (shërbimeve të rrjetit) të Windows Server 2012 që mundësojnë administrim të avancuar, në rreshtat në vijim do të njiheni me Remote Access.

Çfarë është Remote Access?

Kur flasim për rolin Remote Access në Windows Server 2012 padyshim që flasim për qasje nga distanca, porse ndryshe nga Remote Desktop Services (RDS). Në fakt, roli Remote Access përbëhet nga grupimi logjik i teknologjive për qasje të rrjetit si në vijim:

  • DirectAccess – i prezantuar në Windows Server 2008 R2, DirectAccess përdorë IPsec për të enkriptuar komunikimin në mes të DirectAccess client dhe DirectAccess server si dhe e enkapsulon trafikun e IPv6 mbi IPv4 për të arritur Intranetin përmes Internetit. Gjithsesi, qasja në resurset e Intranetit të korporatës realizohet pa ndihmën e teknologjisë tradicionale për qasje nga distanca Virtual Private Network (VPN).
  • Routing and Remote Access Service (RRAS) – si pasardhës i Remote Access Service (RAS) në Windows NT, Routing and Remote Access Service (RRAS) u prezantua në Windows 2000 dhe paraqet një shërbim të kombinuar të shërben për të vendosur lidhje në mes të lokaliteteve në distancë përmes Virtual Private Network (VPN) dhe Dial-up; si edhe rrugëtimin e trafikut në mes të nën-rrjeteve.
  • Web Application Proxy – në Windows Server 2012 R2 zëvendësoi Microsoft Forefront Unified Access Gateway (UAG) dhe luan rolin e proksit të kthyeshëm. Web Application Proxy përdorë Active Directory Federation Services (AD FS) për të bërë autentikimn e përdoruesve të korporatës ashtu që të mund ti qasin aplikacionet e uebit në Intranetin e korporatës edhe nga jashtë rrjetit të korporatës.

Si ta instaloni Remote Access?

Gjithsesi, si çdo rol tjetër në Windows Server 2012 edhe Remote Access ofrohet si rol i cili shtohet përmes panelit Server Manager si në figurën 1. Duke klikuar në Add Roles and Features në pjesën e Welcome to Server Manager të panelit Server Manager ju e nisni ekspertin për shtimin e roleve dhe të tipareve në server. Në rrugëtimin e shtimit të rolit të Remote Access , ju do të shtoni edhe rolet e shërbimeve si DirectAccess, Routing and Remote Access Service (RRAS) dhe Web Application Proxy. Pastaj, do të shtoni edhe serverin e uebit (IIS) dhe do ta përmbyllni me sukses procesin e shtimit të Remote Access në serverin tuaj.

Figura53

Figura 1. Shtim i rolit të Remote Access në Windows Server 2012

Konkluzioni

Që nga Windows NT 3.5 e deri në Windows Server 2012, Microsoft vazhdimisht është përpjekur që të prezantoj shërbime të reja të rrjetit. Interesant është fakti, që Microsoft ia ka dalë mbanë që krahas prezantimit të roleve të reja në versionet e sistemeve operative për serverë gjithashtu ka arritur të ruaj edhe thjeshtësinë e punës me këto shërbime. Kështu, krahas respektit të treguar për administratorët e sistemit, Microsoft ka ngritur në një nivel tjetër administrimin e sistemeve operative për server. Përderisa Microsoft përmes sistemeve operative për server ofron shërbime të numërta për rrjetin e korporatës, njëkohësisht përdorimi dhe menaxhimi i shërbimeve dhe resurseve në rrjetin e korporatës, sado kompleks të jetë ai, administrohen nga konzola qendrore e infrastrukturës së rrjetit.

Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.

paqe dhe shëndet,

Bekimi

Bekim Dauti’s Blog | Bekim Dauti’s Vlog