Cili është dallimi në mes të procesorëve të Intel dhe AMD?
Pyetje: Dua të blej laptop, andaj më intereson të dijë se cili është dallimi në mes të procesorëve të Intel dhe AMD?
Hivziu
Përgjigje: I nderuari Hivzi, faleminderit për pyetjen tuaj!
Siç e dimë, për më shumë se tri dekada bota e procesorëve kryesisht dominohet nga rivaliteti i Intel dhe AMD, dy industri më të njohura për prodhimin e procesorëve për kompjuterët shtëpiak dhe të serverëve. Edhe pse herë pas here, AMD e ka sfiduar Intel me teknologji inovative në procesorët e tij, sërish është Intel që prinë garën (Figura 1. Pjesmarrja në treg e Intel dhe AMD).
Figura 1. Pjesmarrja në treg e Intel dhe AMD (Blair, Shkurt 2014)
Për të dhënë përgjigjen e duhur, në vijim do të bëhen krahasimet në mes të procesorëve të Intel dhe AMD për nga arkitektura, bashkësia e instruksioneve, kujtesa cache, shpejtësia, socket, konsumi i energjisë dhe çmimi.
Arkitektura: Të dy prodhuesit ofrojnë arkitekturë 64-bit të procesorëve me teknologjitë si Hyper-Threading (HT) të Intel dhe HyperTransport Technology (HTT) të AMD. Kjo do të thotë që procesorët e ty dy prodhuesve shkëmbejnë të dhënat me kujtesën RAM në shkallën e 64-biteve.
Bashkësia e Instruksioneve: Janë dy arkitektura të bashkësive të instruksioneve si RISC (Reduced Instruction Set Computer) dhe CISC (Complex Instruction Set Computer). Në thelbë, arkitektura x86 që shërben si platformë e thuajse të gjithë procesorëve modernë për kompjuter personal dhe serverë, është RISC. Mirëpo me prezantimin e teknologjisë me më shumë se dy bërthama për procesorë bëri që edhe Intel dhe AMD të adoptojnë arkitekturën hibride të bashkësisë së instruksioneve ku RISC dhe CISC përdoren së bashku.
Kujtesa Cache: Si Intel e po ashtu edhe AMD përdorin tre lloje të kujtesave cache si: L1, L2 dhe L3. Varësisht nga prodhuesi dhe modeli i procesorit, kujtesat cache L1 dhe L2 ndodhen brenda procesorit ndërsa kujtesa cache L3 mund të jetë brenda apo jashtë procesorit. Madhësia e kujtesës cache është një nga faktorët përcaktues të performancës së procesorit.
Shpejtësia: Edhe Intel e edhe AMD ofrojnë procesor me shpejtësi të rangut gigaherzt (GHz) që shpreh ciklin e makinës për sekondë. Përderisa, pothuajse të gjithë procesorët e Intel (me përjashtim të disa modeleve të pakta) ofrohen me shpejtësi të bllokuar, ndërsa në anën tjetër tek një numër i konsiderueshëm i procesorëve të AMD (për të mos thënë të gjithë) ofrohet mundësia e rritjes së shpejtësisë përmes opsionit të overclocking. Kështu, sa më e madhe të jetë shpejtësia e ciklit të makinës për sekondë, aq më e madhe mundësia që procesori të performon më mirë. Gjithashtu, duhet pas në kosnideratë edhe shpejtësinë e FLOP (Floating Point) të procesorit që përcakton shpejtësinë e operimit të pikës dhjetore.
Socket: Varësisht nga arkitekturat e procesorëve të Intel (Sandy Bridge, Ivy Bridge dhe Haswell) apo të AMD (Vishera, Bulldozer dhe Hondo), përcaktohen edhe numri i gjilpërave (pin) që do të përdorë procesori për tu vendosur në bazamentin (socket) e tij në pllakën amë. Zatën kjo është arsyeja se përse procesorët e Intel dhe AMD nuk mund të përdoren në të njëjtën pllakë amë. Kështu, në përgjithësi Intel përdorë LGA (Land Grid Aray) 775, 1150, 1155, 1156 dhe 1366 socket, ndërsa AMD përdorë AM (AM1, AM2/AM2+ dhe AM3/AM3+) dhe FM (FM1 dhe FM2/FM2+) socket.
Konsumi i energjisë: Edhe përkundër faktit se aty këtu AMD ka deklaruar se ka ofruar procesorë të cilët konsumojnë më pak energji sesa konkurenca e tyre Intel, sërish ka qenë dhe mbetet problem nxehtësia termike tek procesorët e AMD për shkak të konsumit të madh të energjisë.
Çmimi: Tradicionalisht, procesorët e AMD kanë qenë më të lirë se procesorët e Intel. Zaten, kushdo që ka kursyer xhepin duke mos blerë procesor të Intel ka përzgjedhur procesorët e AMD si alternativë.
Si konkludim, mbizotëron opinionin gjithë andej në botën kompjuterike se në qoftë se në punët tuaja të përditshme me kompjuter kryesisht merreni me lundrim të Internetit, dërgim/pranim të e-Postave dhe aplikacione të përditshme si MS Office, atëherë me pak para mund të bleni kompjuter me procesorë AMD. Mirëpo, nëse punët tuaja kërkojnë procesim të aplikacioneve dhe lojëra 3D atëherë sugjerimi është të bleni kompjuter me procesor të Intel.
Shpresoj të jetë përgjigje e duhur për pyetjen tuaj.
paqe dhe shëndet,
Bekimi