Kontributi i bizneseve mekanizëm jetik në zhvillimin e mirëqenies në shoqëri

Kontributi i bizneseve mekanizëm jetik në zhvillimin e mirëqenies në shoqëri

Një biznes që nuk bën asgjë përveç parave është një biznes i varfër.” –Henry Ford

Gjithçka nis nga idea e cila shndërrohet në vlerë (apo produkt) dhe vlera pastaj synon të gjeneron profit pas kostos. Kështu, themelohet një biznes që nga këndvështrimi ligjor është një subjekt juridik që përbëhet nga një grup i caktuar i njerëzve të cilët bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët duke përqendruar talentet, aftësitë dhe shkathtësitë e tyre në jetësimin e vlerës. Nga kjo kuptojmë, që në thelb biznesi paraqet një cikël që përbëhet nga elementët kryesor siç janë idea, vlera, kosto, profiti dhe sërish për të arritur te idea e kështu me radhë.

Synimi i biznesit a është paraja apo zhvillimi i mirëqenies?

Mbase ndokush do të përgjigjej me pyetjen se a është më e vjetër pula apo veza?! Duke lënë humorin anash, përgjigjen më të mirë në gjetjen e qëllimit të vërtetë të biznesit e ka dhënë historia e bizneseve që nga lindja e bizneseve të para e deri në ditët e sotme. Kjo histori tregon të dy anët e medaljes, duke favorizuar herë paranë e herë zhvillimin e mirëqenies.

Në fjalorin Merriam-Webster definicioni për fjalën i/e pasur është “posedim i pasurisë së bollshme e posaçërisht pasuri materiale.” Ndërsa, definicioni për fjalën mirëqenie nga po i njëjti fjalorë është “gjendja e të qenit të lumtur, të shëndetshëm dhe të begatë.” Nëse i bashkojmë definicionet e fjalëve i/e pasur dhe mirëqenie pa ndërhyrë në origjinalitetin e definicioneve përkatëse, atëherë fitojmë togfjalëshin në vijim:

Posedim i pasurisë së bollshme e posaçërisht pasuri materiale

+

gjendja e të qenit të lumtur, të shëndetshëm dhe të begatë

Në të kaluarën dhe tani, historia njerëzore ka dëshmuar se më të pasurit në pasuri nuk kanë qenë më të lumturit, më të shëndetshmit dhe të begatët, ashtu siç ka dëshmuar dhe të kundërtën se më të lumturit, më të shëndetshmit dhe të begatët nuk kanë qenë njerëzit më të pasur në pasuri.

Por a vlenë kjo për bizneset me kapital më të madh dhe punëtorët e saj?!!! Më saktë, një biznes i suksesshëm a i ka punëtorët më të lumtur, të shëndetshëm dhe të begatë? Në Internet do të gjeni artikuj të shumtë që tregojnë për indeksin e lumturisë, shëndetit dhe begatisë së punëtorëve të cilët punojnë në disa nga korporatat botërore. Nga kërkimet që do ti bëni në Internet, ju mbetet që ta gjeni faktorin përcaktues në lumturinë, shëndetin dhe begatinë e punëtorëve nëpër ato korporata.

Me gjithë respektin, meqë ky artikull synon të identifikon kontributin e biznesit në zhvillimin e shoqërisë atëherë të shohim disa nga praktikat e tilla në botë ashtë që ti aplikojmë dhe në shoqërinë tonë me qëllim të zhvillimit të mirëqenies.

  • Hapja e vendeve të reja të punës

Të mahnit numri i madh i punëtorëve që punojnë nëpër korporatat globale. Kjo dëshmon se misioni dhe vizioni i një biznesi nuk shtyhet dot në ardhmëri pa punëtorët. Porse, raportet e ndryshëm flasin se nuk janë korporatat ato që ofrojnë numrin më të madh të vende të reja të punës brenda kufijve të një vendi, porse janë bizneset e vogla ato që gjenerojnë numrin më të madh të vendeve të reja të punës.

  • Zhvillimi i ekonomisë

Hapja e vendeve të reja të punës në mënyrë direkte ndikon në përkrahjen e ekonomisë së vendit. Kjo për faktin se të punësuarit posedojnë potencial material për të shpenzuar  në favor të mirëqenies sociale. Vetvetiu kjo krijon “ekosistemin e biznesit” i cili përbëhet nga furnitorët, distributorët, konsumatorët, konkurrentët, agjencitë qeveritare dhe të tjerë. Natyrshëm, ky ekosistem vendoset në funksion të zhvillimit të ekonomisë së vendit. Njëkohësisht, shërben si model për të joshur ndërmarrës të rinj të hapin biznese e me të edhe vende të reja të punës.

  • Kontributi vullnetar në komunitet

Duket që përcaktues për kahun se nga do të eci biznesi është vetë qëllimi i themelimit të biznesit. Se a ka qenë dëshira për tu pasuruar, apo për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë, ose edhe për ti mbajtur të balancuara edhe pasurimin e edhe kontributin në shoqëri janë tregues që me kalimin e kohës bëhen pjesë e profilit publik të vetë biznesit. Janë të shumtë raportet në Internet që tregojnë për kontributet vullnetare të vazhdueshme të bizneseve nga i gjithë globi që në bashkëpunim me OJQ-të (Organizatat Jo-Qeveritare) vendore ndihmojnë komunitetin me aktivitete si përkrahje e nismave të reja zhvillimore, përkrahja e programeve për mirëqenie, donacione, bamirësi dhe të tjera.

  • Karakter kreativ

Ky artikull është shkruar duke përdorur kompjuterin. Po ashtu, ju duke përdorur kompjuterin (apo çdo pajisje tjetër të skajshme) e qasni këtë artikull përmes Internetit. Këto dhe shumë teknologji të tjera që sot ne i përdorim kanë ardhur nga bizneset që kanë patur dhe kanë në ADN-të (Acidi DezoksiriboNukleik) e tyre karakter kreativ. Kështu, edhe pse modelet e bizneseve të provuara kanë qenë dhe mund të jenë të suksesshme, sërish “gurin e kanë lëvizur” bizneset e orientuara në gjetjen e risive.

Në formë të përmbylljes, nuk ka dyshim se biznesi është një mekanizëm që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mirëqenies së të gjithë atyre që bashkëveprojnë me të. Historikisht, është dëshmuar se është një mekanizëm jetik në zhvillimin e shoqërisë sa herë që një vend me anë të politikave të mirëfillta për zhvillim të biznesit ka ditur të josh ndërmarrësit për themelim të bizneseve të reja, ashtu si dhe ta orientoj egon e ndërmarrësve në investime për të mbështetur lumturinë kolektive se sa shpenzimet për të mbështetur “kënaqësitë individuale”.

Shpresojmë që kjo të jetë një informatë e duhur për ju.

Shënim: Artikulli u publikua fillimisht në blogun Bekim Dauti’s Blog në Janar të 2018. Riprodhohet në këtë blog me lejen e autorit Bekim Dauti (instruktor @Dautti).

paqja me ju,

Dautti

LinkedIn | YouTube | Twitter | Instagram | Facebook