Vijoni pa pagesë trajnimin “Hyrje në Rrjetet Kompjuterike”
Rrjet kompjuterik është një grup i kompjuterëve të lidhur në mes veti me qëllim të ndarjes së resurseve.
Po që se bëjmë një kërkim për fjalën rrjet në fjalorin Merriam-Webster, do të gjejmë përkufizimin se “rrjet është një grup i njerëzve ose organizatave që janë të lidhura ngushtë dhe se punojnë me njëri tjetrin.” Po në fjalorin Merriam-Webster, hasim edhe shprehjen rrjetëzim që definohet si “shkëmbim i informacionit apo i shërbimeve mes individëve, grupeve apo institucioneve.” Meqë po flasim për kompjuterët, atëherë del që në rastin tonë janë kompjuterët që përbejnë rrjetin kompjuterik dhe jo njerëzit. Ndërsa, kur flasim për resurset, zakonisht ato i zbërthejmë në të dhëna, shërbime të rrjetit dhe pajisje periferike. Pra secili që ka përvojë me rrjete kompjuterike, ka parë se shumë lehtë është të ndash skedarë, aplikacione, printerë dhe pajisje të tjera periferike në rrjetet kompjuterike.
Si realizohet rrjeti kompjuterik?
Gjithsesi, që pjesa më e bukur e rrjeteve kompjuterike është si të realizosh një të tillë? Realizimi i rrjetit kompjuterik është ngushtë i lidhur për definicionin e tij. Pra duke e ditur se kemi të bëjmë me grup të kompjuterëve, atëherë kriteri për të realizuar një rrjet kompjuterik është që duhet të jenë dy apo më shumë kompjuter. Varësisht nga numri i kompjuterëve në rrjet dhe i mënyrës se si i qasin ata resurset në rrjetë, atëherë edhe bëhet kategorizimi i llojeve të rrjeteve kompjuterike.
Llojet e rrjeteve kompjuterike
Gjithçka nisi si nevojë e ndarjes së resurseve. Kështu, nevoja për të lidhur dhe ndërlidhur më shumë kompjuter dhe lokalitete në rrjetet kompjuterike rezultoi në vetvete me nevojën për të përcaktuar topologjitë, arkitekturat, teknologjitë dhe kategoritë e rrjeteve kompjuterike. Në këtë mënyrë lindën rrjetet kompjuterike si: rrjeti i hapësirës personale (PAN), rrjeti i hapësirës lokale (LAN), rrjeti i hapësirës së qytetit (MAN) dhe rrjeti i hapësirës së gjerë (WAN).
Trajnimi “Hyrje në Rrjetet Kompjuterike”
Në këtë trajnim do të mësoni për Rrjetet Kompjuterike i cili i dedikohet të gjithëve të interesuarve të cilët duan të bëjnë hapat e parë ose tashmë i kanë bërë ato në fushën e rrjeteve kompjuterike. Trajnimi është i organizuar nga video-materialet të cilat shpjegojnë në detaje një koncept të caktuar të ndërlidhur për rrjetet kompjuterike. Video-materialet ofrohen nga platforma e YouTube, të cilat me anë të aplikacioneve të treta edhe mund ti shkarkoni dhe ti ruani në kompjuterin tuja personal dhe kështu ti shikoni jashtë linje (Anglisht: off-line) sa herë që dëshironi. Ju mund ti shikoni sipas dëshirës tuaj video-materialet, porse për të qenë më të suksesshëm me trajnimin “Hyrje në Rrjetet Kompjuterike”, ju sugjeroj që ti shikoni sipas renditjes në vijim.
Mësimi 1: Çka është rrjeti kompjuterik?
Mësimi 2: Llojet e rrjeteve kompjuterike
Mësimi 3: Topologjia fizike dhe logjike
Mësimi 4: Komponentët e rrjetit kompjuterik
Mësimi 5: Protokollet e komunikimit në rrjetet kompjuterike
Mësimi 6: Modelet OSI dhe TCP/IP
Mësimi 7: Adresat IP dhe Nën-rrjetëzimi
Mësimi 8: Arena e madhe e Internetit
Shpresoj të jetë trajnim i duhur për ju. Shëndet dhe suksese.
Shënim: Trajnimi u publikua në Bekim Dauti’s Blog më 09 Shkurt 2019. Riprodhohet në këtë blog me lejen e autorit Bekim Dauti (instruktor në Dautti).
paqja me ju,