Windows Server 2012: Si ta instaloni Remote Desktop Services (RDS)?
“Janë rreth 25 deri në 30 milionë përdorues të korporatave në botë me qasje në distancë. Në normën e tregut qasja në distancë është në rritje, ashtu që nga viti 2002 ky numër lehtë mund të rritet në 100 milionë. Në qoftë se ata të gjithë do të ishin përdorues të VPN dhe sikur secili të paguante 10 $ në vit për mirëmbajtje, atëherë kjo do të ishte 1 miliard $. Në qoftë se ata shpenzojnë 100 $ për tu pajisur me këtë shërbim, atëherë kjo do të ishte 10 miliard $. Dhe kjo shumë është vetëm për qasjen në distancë për përdoruesit e korporatave.” Per Suneby
Në vazhdën e prezantimit të roleve (shërbimeve të rrjetit) të Windows Server 2012 që mundësojnë administrim të avancuar, në rreshtat në vijim do të njiheni me Remote Desktop Services (RDS).
Çfarë është Remote Desktop Services (RDS)?
I njohur si Terminal Services (TS) deri në Windows Server 2008, Remote Desktop Services (RDS) mori emër dhe identitet nga paraqitja e tij në Windows Server 2008 R2. Ky rol mundëson qasjen nga distanca të kompjuterëve dhe aplikacioneve si në rrjetin e Intranetit të kompanisë e po ashtu edhe në Internet. Nga pikëpamja e principit të punës, komponentë kryesore e Remote Desktop Services (RDS) është Terminal Server i cili përdorë portin TCP 3389. Porsa klienti Remote Desktop Protocol (RDP) të konektohet në këtë portë, atëherë ai etiketohet me një Session ID unike dhe shoqërohet me një sesion të freskët të konzolës (miu, tastiera dhe mjedis të ndërfaqës të bazuar në karaktere). Pastaj, nënsistemet për nisje (winlogon.exe) dhe ndërfaqësi grafik i sistemit bëjnë të mundur autentikimin e përdoruesit si dhe të ofrimit të ndërfaqësit të bazuar në grafikë. Kryesisht, në anën e klientit përdoret aplikacioni Remote Desktop Conncetion (RDC) dhe në përgjithësi komunikimet e RDP janë të enkriptuara me 128-bit Rivest Cipher 4 (RC4).
Si ta instaloni Remote Desktop Services (RDS)?
Natyrshëm, si çdo rol tjetër në Windows Server 2012, ngjashëm edhe Remote Desktop Services (RDP) ofrohet si rol i cili mund të shtohet përmes panelit Server Manager si në figurën 1. Duke klikuar në Add Roles and Features në pjesën e Welcome to Server Manager të panelit Server Manager ju e nisni ekspertin për shtimin e roleve dhe të tipareve në server. Duke klikuar butonin Next disa herë ju do ta përmbyllni me sukses procesin e shtimit të RDP në serverin tuaj.
Figura 1. Shtim i rolit të RDS në Windows Server 2012
Konkluzioni
Që nga Windows NT 3.5 e deri në Windows Server 2012, Microsoft vazhdimisht është përpjekur që të prezantoj shërbime të reja të rrjetit. Interesant është fakti, që Microsoft ia ka dalë mbanë që krahas prezantimit të roleve të reja në versionet e sistemeve operative për serverë gjithashtu ka arritur të ruaj edhe thjeshtësinë e punës me këto shërbime. Kështu, krahas respektit të treguar për administratorët e sistemit, Microsoft ka ngritur në një nivel tjetër administrimin e sistemeve operative për server. Përderisa Microsoft përmes sistemeve operative për server ofron shërbime të numërta për rrjetin e korporatës, njëkohësisht përdorimi dhe menaxhimi i shërbimeve dhe resurseve në rrjetin e korporatës, sado kompleks të jetë ai, administrohen nga konzola qendrore e infrastrukturës së rrjetit.
Shpresoj që ky postim të jetë informues për ju të dashur lexues.
paqe dhe shëndet,
Bekimi